Përplasja e makinës me shkallët e një banese të ndërtuara keq në trotuar ishte fatale për dy të rinj nga Peqini. Goditja e fortë me betonin u mori atyre jetën në vend.
“Automjeti tip ‘Golf’ me të cilin ata udhëtonin, është përplasur me shkallët e kësaj banese që ndodhet pas shpinës sime. Edhe pse janë transportuar në qendrën spitalore të Elbasanit, ata nuk kanë mundur të mbijetojnë”, raporton gazetari Fatos Salliu.
Viktimat janë D.K., dhe G.L., ky i fundit drejtuesi i makinës tip ‘Golf’. Ngjarja ndodhi në rrugën në hyrje të qytetit të Peqinit. Makina ka humbur kontrollin si pasojë e shpejtësisë dhe ka përfunduar në këto shkallë betoni të kësaj shtëpie që kanë zënë të gjithë trotuarin dhe nuk u kanë lënë mundësi shpëtimi dy të rinjve. Banorë të zonës thonë se dëgjuan një zhurmë të madhe pas aksidentit.
“Ishin mu këtu, se kush ishin nuk e dinim ne, por vetëm që kërciti dhe bërtiti.”
Aksidenti i rëndë u regjistrua rreth orës 2 të mëngjesit të kësaj të diele. Autoritetet policore vijojnë hetimet për të zbuluar shkaqet.
Tv Klan