Një 26-vjeçar ka ndërruar jetë dhe një 40 vjeçar ndodhet në gjendje të rëndë pasi zetori me të cilin po udhëtonin u përplas nga një “Benz” në autostradën Lushnje-Fier.
Sipas policisë, ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 05:25 të mëngjesit të sotëm në vendin e quajtur “Vajkan”.
Mjeti tip “Benz”, me targa AA 170 HO është përplasur me një automjet tip “Zetor”, pa targa, ku për pasojë humbi jetën shoferi i zetorit Erion Balla dhe u plagos rëndë pasagjeri i zetorit me iniciale G.H, të dy banues në Imshtë të Lushnjes.
Në Komisariatin e Policisë Fier janë shoqëruar drejtuesi i mjetit tip “Benz” dhe pasagjeri që udhëtonte me të, të cilët po pyeten për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.