Një burrë 60 vjeç humbi jetën sot në mesditë në autostradën Tiranë-Durrës pranë tregut agro-ushqimor. Policia bën të ditur se viktima është i paidentifikuar ende. Aksidenti ndodhi rreth orës 13:00 dhe drejtuesi i automjetit Toyota, shtetasi G. Xh. është ndaluar nga policia. Grupi hetimor në vendin e ngjarjes po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit dhe identifikimin e viktimës. Paraprakisht mendohet se viktima që ecte në këmbë i ka prerë rrugën makinës, por gjithsesi dinamika e ngjarjes do të zbardhet nga policia e prokuroria. Autostrada Tiranë-Durrës është bërë një nga akset më problematike ku aksidentet janë të përditshme dhe në shumë raste ka patur dhe viktima.