Në protestën që po zhvillohet ditën e sotme ka reaguar për herë të parë nëna e 14-vjeçarit, i cili u vra pak ditë më parë prej bashkëmoshatarit të tij te shkolla “Fan Noli” në kryeqytet.
Përmes një mesazhi ajo ka thënë se Martini ishte i mbushur me ëndrra dhe jetë, të cilat ia morën të dyja.
Nëna e të miturit ka falenderuar personat që iu gjendën djalit të saj në momentet e tij të fundit, të gjithë shqiptarët për suportin moral dhe Federatën Shqiptare të Futbollit.
“Në pamundësi për t’iu bashkuar suportit tuaj të madh. Nuk mendoj që ka fjalë që e përshkruan këtë dhimbje që na ka lënë pas një boshllëk që nuk do mbushet kurrë. Falenderoj gjithë popullin shqiptar dhe FSHF-në për praninë dhe mbështetjen në këto momente të vështira, s’di sa mirënjohëse mund të jem për ata që ju gjendën Martinit në momentet e tij të fundit. Ju falenderoj nga zemra! Martini ishte i mbushur me ëndrra dhe jetë, ia morën të dyja. Si nënë që jam, uroj nga thellësia e shpirtit që askush të mos sprovohet me një dhimbje të tillë. Respekte, Florina dhe Angel Cani”, ishte mesazhi i nënës.