Zëvendës kryeministri, Arben Ahmetaj në një konferencë të përbashkët me ministren gjermane për Europën dhe Klimën Anna Luhrmann, ka shprehur shqetësimin që ka qeveria shqiptare për vonesat e hapjes së negociatave të BE me vendin tonë.
Sipas zëvendës kryeministrit, Shqipëria i ka bërë të gjitha detyrat e shtëpisë.
“Ndava me ministren atë ndjesi dhe shqetësimin që ka qeveria shqiptare për vonesën formale të hapjes së negociatave me Shqipërinë. I shpreha keqardhjen ministres se tashmë ne i kemi bërë të gjitha detyra e shtëpisë.
Sot nuk ka asnjë vend anëtar i Bashkimit Europian që të ngrejë një problematikë me Shqipërinë, e cila ta pengojë hapjen formale të negociatave, e megjithatë megjithëse Komisioni ka 3 vite rresht që konfirmon se Shqipëria ka bërë detyrat e shtëpisë, akoma besoj në 6 muajt e ardhshëm shpresojmë që të kemi hapjen formale të negociatave.
E gjithë qeveria dhe administrata shqiptare konfirmon që jemi gati të kapim kohën e duhur menjëherë sa të kemi hapjen formale të negociatave. I kërkova ministres që Ballkani Perëndimor nuk mund të lihet si vakum për mundësi të lojërave të aktorëve të tjerë.
Hapja formale e negociatave jep një sinjal shumë të fortë për të rinjtë në Ballkanin Perëndimor. Procesi i negociatave është reforma të thella sektoriale, pra në çdo sektor të jetës së vendit. Këto dy elementë e bëjnë integrimin europian strategjik për Shqipërinë”,-tha Ahmetaj./Opinion.al