Agron Gjekmarkaj ka takuar në Athinë homologun e tij, Ioannis Plakiotakis, Nënkryetari i Parë i Parlamentit Grek.
Demokrati shprehet se në cilësinë e Nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë dhe përfaqësuesit të opozitës së qendrës së djathtë, informoi homologun e tij mbi zhvillimet e procesit zgjedhor të 11 majit dhe gjetjet e raportit të OSBE/ODIHR.
Po ashtu Gjekmarkaj thekson se ndër temat e diskutuara ishte dhe roli i emigrantëve shqiptarë në Greqi si kontribues të rëndësishëm dhe si një lidhje tashmë e fuqishme natyrale e miqësie mes dy popujve.
“Sot pata nderin dhe kënaqësinë të pritesha në Athinë nga z. Ioannis Plakiotakis, Nënkryetari i Parë i Parlamentit Grek.
Në qytetin që lindi demokracia dhe emancipimi politik i botës, shpreha bindjen time se popujt shqiptar dhe grek, të vendosur pranë njëri-tjetrit nga historia, kanë potencial të madh për të forcuar miqësinë dhe bashkëpunimin mbi vlerat europiane dhe standardet e Bashkimit Europian dhe NATO-s.
Në cilësinë e Nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë dhe përfaqësuesit të opozitës së qendrës së djathtë, informova z. Plakiotakis mbi zhvillimet e procesit zgjedhor të 11 majit dhe gjetjet e raportit të OSBE/ODIHR.
Raporti evidenton qartë unifikimin e partisë në pushtet me shtetin, përdorimin e burimeve publike dhe mbi 4500 aktivitete elektorale të paraqitura si aktivitete të administratës publike, duke cenuar barazinë e garës.
Gjithashtu, gjatë vitit elektoral u arrestua i gjithë lidershipi i opozitës, duke kulmuar me Sali Berishën ngjarje kjo që ja lehtesoi kundershtarit fitoren e pamerituar!
Në këtë kontekst, shpreha qëndrimin se Shqipëria duhet të rikthehet te zgjedhjet e lira, të ndershme dhe të pakontestuara, jo vetëm si kusht për integrimin europian, por edhe si pjesë e ADN-së demokratike të vendit dhe si themel i harmonisë shoqërore.
Po ashtu, vura në dukje rolin e emigrantëve shqiptarë në Greqi si kontribues të rëndësishëm dhe si një lidhje tashmë e fuqishme natyrale e miqësie mes dy popujve.
Shpreha bindjen se minoriteti grek në Shqipëri është një pasuri e çmuar dhe një mundësi e madhe për forcimin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit midis dy vendeve.
Shpreha gjithashtu dëshirën për të intensifikuar marrëdhëniet institucionale, jo vetëm përmes Grupit të Miqësisë, por edhe përmes komisioneve parlamentare.
I përcolla z. Plakiotakis përshëndetjet e Kuvendit të Shqipërisë për Parlamentin e Greqisë, si edhe përshëndetjet e Kryetarit të PDSH-së, Sali Berisha, për Nea Dimokratia-n, aleate tradicionale e Partisë Demokratike, Kryeministrin Mitsotakis dhe Kryetarin e Parlamentit, z. Nikitas Kaklamanis”, shkruan Gjekmarkaj.














