Më 6 qershor të vitit 2021 qeveria shqiptare miratoi koncesionin për Aeroportin e Vlorës, një vepër e shumëpitur, si porta e hyrjes në jugun e Shqipërisë dhe po ashtu për zhvillimin e turizmit.
Në maj të këtij viti, në pistën e këtij aeroporti u krye fluturimi i parë certifikues, ku të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama, zëvendësja e tij Belinda Balluku dhe biznesmeni i njohur Behgjet Pacolli, kompania e të cilit ishte përgjegjëse për ndërtimet e kryera.
Pacolli premtoi se ai aeroport do të ishte më i bukuri në rajon dhe se do të ishte gati në shkurt të vitit 2026. Mirëpo, situata ka marrë drejtim tjetër, me një ngërç juridik përpara, pasi Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim dhe ka marrë një masë pezullimi për emërimin e administratorit të ri të këtij aeroporti.
Gjithçka nisi me një kallëzim të bërë në Prokurori nga shtetasi Valon Ademi, aksioner në këtë koncesion.
Sonte, 20 tetor, në “Opinion” në Tv Klan, u diskutua pikërisht mbi këtë çështje e cila ende nuk është e qartë dhe gjithçka dimë mbetet në kuadrin e informacioneve që kanë qarkulluar, por jo zyrtare.
Siç e shpjegoi edhe moderatori i emisionit Blendi Fevziu, kompania MACBO, e përfaqësuar nga Behgjet Pacolli, e cila ka aktualisht 98% të regjistruara të aksioneve, pretendohet se ka marrë kredi nga një grup i panjohur, që në kushtet e kontratës merr në dorë Aeroportin e Vlorës.
“Sipas pretendimeve që vijnë nga palët, ky grup mund të ketë pas shpinës së tij rusë. A është e vërtetë nuk di ta them”, tha Fevziu.
Disa detaje më shumë dha edhe gazetarja Bleona Metushi, për këtë situatë tejet të koklavitur, që rrezikon përfundimin e punës në aeroport jo vetëm vitin e ardhshëm, por për vite me radhë.
“Një person është regjistruar si nën hetim, por nuk bëhet e ditur se kush është. Kompania 2A Group ka paditur tre persona. Gjatë javëve të fundit, Prokuroria ka konfirmuar që ka kryer disa veprime hetimore me administrimin e dokumentacionit si dhe marrjen në pyetje të personave të kallëzuar nga shtetasi Valon Ademi. Ai ka bërë edhe një kërkesë në Gjykatën e Tiranës për të penguar veprimet e mëtejshme për këtë koncesion”, deklaroi Metushi.
Po kush është thelbi i akuzës?
“Deri më tani, Prokuroria nuk ka përcaktuar përgjegjësin e vperës penale apo skemën, por vendimi për sigurimin e padisë jep një panoramë për pretendimet, që lidhet me faktin se administrator i kompansië pretend që ka bërë një kontratë me kompaninë tjetër në vitin 2024, ku I blente 47% të aksioneve, që është finalizuar në prill 2025, dhe që sipas kompanisë 2A pavarësisht shitjes së aksioneve me kontratë noteriale, paditësi pretendon se janë marrë vendime në dy mbledhje pa e thirrur”, u përgjigj ajo.
“Janë dy vendime të tjera të Asamblesë të marra gjatë gushtit, nuk janë pezulluar sepse ato e kanë dhënë një efekt. Ajo mbledhje kishte ndaluar tjetërsimin e të gjitha aksioneve që ishin parashikuar”, përfundoi gazetarja./ Marrë nga TvKlan.al