Këtë të mërkurë, 12 nëntor, në studion e Opinion ishte biznesmeni Valon Ademi, për të dhënë versionin e tij lidhur me konfliktin mbi mbi aeroportin e Vlorës, që tashmë është edhe çështje juridike.
Fillimisht, Ademi rrëfeu historinë e familjes së tij, që u zhvendos nga Kosova në Shqipëri në vitin 1990.
-Ju jeni person, ose profil biznesi shumë pak i njohur në Shqipëri, prej sa kohësh drejtoni kompaninë?
Ademi: Ne kemi një biznes familjar që daton që në vitet ’80 në Kosovë dhe në vitin ’90 u transferuam për shkak të përndjekjes që i bëhej tim eti. Në atë periudhë ai merrej me tregti, në fillim të viteve ’90, im atë përndiqej nga Serbia dhe ne zhvendosemi në Tiranë. Edhe këtu filloi të merrej me biznes, mbaj mend që sillte soba të vajgurit nga Turqia, deri në vitin 1994. Në atë vit, futet në biznesin e ndërtimit, projekti i parë ishte Linza, në Dajt. Kompania jonë ishte nënkontraktori kryesor i Kharafi Group në atë kohë. Pastaj vazhduam me Ambasadën amerikane, Sheratonin, në 1997.
Pastaj nisëm edhe me ndërtim privat, në 1999-ën kemi përfunduar një pallat te Fakulteti i Shkencave, një pallat 16-katësh. Jemi marrë me rrugë, edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë. Me biznes shkuam në Kosovë pas lufte! Edhe me ndërtim të lartë, edhe me ndërtim të ulët, ne hapëm fabrika për shitjen e betonit, guroren.
-Në cilin vit e morët menaxhimin e kompanisë?
Ademi: E kam marrë në moshën 20-vjeçare.
-Që kur ishe ende student?
Ademi: Saktë! Pa dëshirën e tim eti, por me vullnetin tim të madh.
Theksoi se është edukuar në Shqipëri, ndërsa studimet e larta i ka mbyllur në Kosovë. Kur ishte 25 vjeç, e mori krejtësisht në dorë kompaninë.
“Në Kosovë, u fokusuam te ndërtimet publike, sepse aty ishin punët më të mëdhaja. Kompania ime mund të ketë më shumë se 300 punëtorë, ajo që merret me ndërtimin, 2A Group”, tha Ademi.
I pyetur se a ka qenë ai që ka kërkuar që Pacolli të marrë pjesë në atë projekt, u përgjigj duke kujtuar takimin e parë me të.
Në vitin 2019, kuptuam se e kishim të vështirë të plotësonim kriteret e garës, nuk kishim ndërtuar paraprakisht aeroport ne. E lashë si në heshtje atë çështjen, kriteret ishin goxha të vështira. Në atë periudhë, më kontakton shefi i kabinetit asokohe i zotit Pacolli, kisha në raport me të, më kontakton pa asnjë lidhje. Valo thotë zoti Pacolli ka marrë dekret nga Presidenti, a mund të na asistosh si t’i nxjerrim pasaportën. Isha konsull nderi i Shqipërisë në Kosovë. Më kërkon këtë nder, i them po absolutisht, unë shkoj me makinën time madje. E mar zotin Pacolli, aty ishte takimi ynë i parë.
Nënvizoi se ka dhe foto e dëshmi për të gjitha këto.
“Të nesërmen zoti Pacolli thotë a ikim përtej Golemit, më tha më ka ofruar njëri një tokë, ikim ta shohim. Duke u kthyer unë e pyes, a ke ndërtuar ndonjë aeroport, po Valon më tha si jo. Ok i thashë bacë, jam duke menduar për të aplikuar në një tender për aeroportin e Vlorës, nëse ke interes, mund të aplikojmë bashkë. Nuk u bë shumë ky muhabet, të nesërmen vendosim në kontakt stafet tona dhe ata shkëmbejnë dokumentacionin për të parë a i përmbushim kriteret.
Ndoshta pas një jave, më fton dhe më thotë, a aplikojmë bashkë në atë tender. I thashë po, absolutisht! I thashë a mund të sigurojmë një kredi, si e ke menduar bacë i thashë, tha 50/50. I thashë jo ti 51 unë 49”, tregoi ai më tej.
Sipas Ademit, u kuptuar se asnjëra prej kompanive nuk i plotësonte kriteret për operimin e aeroportit.
“Nga refuzimi prej kompanisë franceze, dikush nga stafi i Mabetex, njihet me një nga kompania turke që punonte në Kazakistan, atje ku punon edhe kompania e zotit Pacolli”, tha Ademi, duke deklaruar me bindje se “kompania turke YDA Group është kërkuar dhe gjetur nga Mabetex”.
“Di që pronari i kësaj kompanie ka ardhur në Tiranë më 11 janar 2021, e di që pjesë e takimit me zotin Pacolli, kanë qenë edhe pjesëtarë të kompanisë time, unë personalisht jo!”, tha ai.
“Më 22 dhjetor 2020, është firmosur marrëveshja që ne do të aplikonim në tender”, rrëfeu Ademi për periudhën para se të nisnin punimet në aeroportin e Vlorës.















