TIRANE- Një mjek, kirurg në Berat është dënuar me burg sot nga gjykata pasi u faktuan akuzat ndaj tij për abuzim seksual me një paciente. Ky është ndër rastet e rralla kur një mjek dënohet me “burgim” pasi dënimet e zakonshme janë gjoba dhe heqje të drejtës së ushtrimit të profesionit.
Bëhet fjalë për mjekun Artan Sula, i cili një vit më parë (3 tetor 2014) u denoncua nga një paciente për ngacim seksual. “Gjykata e Beratit ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe dënon me 18 muaj burgim shtetasin Artan Sula”, bën të ditur prokuroria përmes një njoftimi për mediat. Sakaq avokati pretendon pafajësi, duke deklaruar se do ta apelojë çështjen.
Mjeku u dënua pasi kishte ngacmuar 20-vjeçaren me iniciale A.B. nga fshati Duhanas. Dyshohet se mjeku Artan Sula ka qenë në gjendje të dehur në momentin kur ka kryer veprimet e turpshme, duke prekur pacienten në pjesë intime të trupit.