Abuzimi seksual të së miturës nga roja i shkollës në Babrru, ka ngjallur reagime dhe protesta në Shqipëri. Pas protestës në Tiranë, protestat kanë vijuar në Korçë e Sarandë. Protestuesit dënojnë ashpër rastin ndërsa kërkojnë forcimin e dënimit për abuzuesit.
Në Korçë, në sheshin e qytetit kanë dalë në protest kryesisht femrat që mbajnë në duar pankarta. Motoja është njësoj si në Tiranë “Për Fëmijërinë e Vjedhur”.
Në formën e një marshimi edhe nga “Sheshi Nënë Tereza” i Sarandës kanë marshuar sot nëna me fëmijë, të rinj e të reja, politikanë për t’i thënë “Stop abuzimit, për fëmijërinë e humbur, për jetën…” Ata marshuan paqësisht për një të ardhme të sigurt për veten, vajzën, motrën, nënën.
Situata në vend është rënduar edhe më tepër pas publikimit të një tjetër rasti abuzimi seksual. Një vajzë denoncoi shefin e Policisë së Fushë Arrëzit, Izmir Durakun, për përdhunim. Vajza deklaroi se kishte shkuar në komisariat për të kallëzuar përdhunimin që i ishte bërë nga disa persona të tjerë, por Duraku, jo vetëm që nuk e ndihmoi po abuzoi seksualisht me atë./ Opinion.al