Pasditen e sotme është prezantuar Abetarja e përbashkët Shqipëri-Kosovë.
Në fjalën e saj, ministrja e Arsimit, Evis Kushi tha se kjo nismë është e fillimi i një faze të re dhe do të jetë e rëndësishme për forcimin e gjuhës shqipe.
“Që nga koha e Abetares së parë, Abetarja është libri që lë gjurmë te çdo njeri. Ky moment është edhe fillimi i një faze të re për të forcuar gjuhën shqipe, falë marrëveshjeve të përbashkëta kemi realizuar shumë punë të mira… ajo që më gëzon është që këtu kemi dhe ministrin e arsimit të Maqedonisë së Veriut, i cili që në momentin e parë ka shprehur dëshirën që edhe ai të përfshihet në këtë nismë kaq patriotike, një abetare e unifikuar për trevat shqiptare jam e bindur që i kalon përmasat e aspektit arsimor, se është arritje e kombit shqiptar. Zgjodhëm këtë ditë për të përuruar Abetaren e përbashkët unike, nesër është dita e parë e shkollës dhe nuk do kishte mënyrë më të mirë për të uruar nxënësit dhe mësuesit, së dyti nesër fillojnë punimet e kongresit të arsimit”, tha Kushi./Opinion.al