Rajoni

Abazoviç mbështet Ballkanin e Hapur: Mjet për integrimin e shpejtë në BE


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 21:57 - 14/05/22 |
Opi Nion

Kryeministri i ri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka deklaruar se e mbështet nismën “Ballkani i Hapur”, pjesë e të cilës janë Shqipëria dhe Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Në një intervistë për Deutsche Welle Abazoviç është shprehur se çdo gjë që mund të përdoret si një mjet për integrimin e shpejtë në BE është diçka e mirë.

Ai tha se kjo nismë nuk është kundër koncepit të Berlinit teksa theksoi se ato janë në përputhshmëri me njëra-tjetrën.

 DW: Keni deklaruar gjithashtu se do të mbështesni “Open Balkan”, në ndryshim nga presidenti i vendit tuaj. Përse?

Dritan Abazoviç: Për mua edhe kjo situatë është e thjeshtë dhe s’duhet dramatizuar. Çdo gjë që mund të përdoret si një mjet për integrimin e shpejtë në BE është diçka e mirë. Për çdo gjë tjetër që mund të shihet si zëvendësim i integrimit evropian, ne nuk jemi të interesuar. Pra, gjithçka që na ndihmon që të hyjmë më shpejt në BE, si rajon apo si shtet, për ne është ok.

DW: A nuk është kundër konceptit të Procesit të Berlinit?

Dritan Abazoviç: Jo! Këto janë në përputhshmëri me njëra-tjetrën. Problemi është se njerëzit në Ballkanin Perëndimor përpiqen të dramatizojnë çdo çështje. Procesi i Berlinit, CEFTA, “Ballkani i hapur” apo çdo nismë tjetër kanë si mesazh të përbashkët bashkëpunimin rajonal. Emri është i parëndësishëm. Po çfarë na nevojitet ne? Na duhet më shumë besim, komunikim më i mirë, projekte të përbashkëta, më shumë bashkëpunim mes vendeve dhe qeverive. Këto na nevojiten. Dhe nga këndvështrimi im, gjithçka shkon në këtë drejtim, është gjëja e duhur. Na duhen më pak tensione, depolarizim i rajonit, dhe për këtë na duhet t’i besojmë njëri-tjetrit dhe jo ta shohim çdo propozim që vjen nga përtej kufirit si diçka armiqësore.

Ne nuk i shohim fqinjët tanë si armiq. I shohim si fqinjët tanë, si miqtë tanë, me shumë respekt dhe po përpiqemi të sjellim energji të reja dhe politikë të re në rajon. Mbase teza ime nuk është e saktë, por unë besoj fuqimisht tek ajo: që nacionalizmi është thellësisht i lidhur me korrupsionin. Dhe elitat politike që duan të promovojnë nacionalizmin, nuk e bëjnë këtë për patriotizëm, po për të mbajtur status quo-në dhe për të moslejuar ndërtimin e institucioneve. Sepse kur ndërtojmë institucione, dhe këtu nuk i referohem vetëm Malit të Zi por edhe rajonit, kur ndërtojmë institucione të forta atëherë marrëdhëniet mes njerëzve do të jenë më të mira, pavarësisht se çfarë shteti apo grupi fetar që përfaqësojnë. Pra, shoh një lidhje mes tyre./Opinion.al

Pas