Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, përmes një postimi në “Twitter” ka deklaruar se Mali i Zi është i gatshëm të mirëpresë raundin e radhës të takimeve, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Ai thotë se ky takim mund të zhvillohet me përfshirjen e zyrtarëve evropianë dhe amerikanë.
“Sapo përfundoi një bisedë e rëndësishme me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
Mali i Zi, si vend mik i Serbisë dhe Kosovës, por edhe i gjithë të tjerëve në rajon, është gati të presë raundin e radhës të Dialogut Beograd-Prishtinë, me përfshirjen e zyrtarëve evropianë dhe amerikanë.
Promovimi i paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal është një nga synimet kryesore të politikës së jashtme të Malit të Zi.
Interesi ynë i përbashkët është të gjejmë një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët në një bisedë të hapur”-shkruan Abazoviç./Opinion.al