Te Fundit

A po i shfrytëzon politika shqiptare akuzat ndaj UÇK?


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 18:33 - 17/11/20 |
el ida

Nga Manjola Bregasi –

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka shpjeguar përpara gazetarëve objektin e komisionit të posaçëm për hetimin e krimeve që janë kryer në Shqipëri nga UÇK pas luftës së Kosovës.

Edhe pse është e dukshme, se gjetjet apo përfundimet e këtij komisioni nuk do të kenë asnjë rol ndikues në procesin e Hagës ndaj liderëve të UÇK-së, Balla e cilësoi ngritjen e këtij komisioni një përgjegjësi politike dhe morale.

“Do të ngremë një komision të posaçëm, që do të kryejë rolin e një komisioni faktmbledhës për disa çështje që lidhen me Shqipërinë. Shumë herë është bërë pyetje: përse u kujtuan tani socialistët, mazhoranca parlamentare në Shqipëri? Duhet kujtuar qartë, se deri sa pa u ngritur akuza kundrejt komandatëve të UÇK-së, të gjithë kemi besuar se historitë e Netflix që lidhen me gjoja krime lufte në Shqipëri ishin sqaruar një herë e përgjithmonë. Por këto çështje të ngritura në aktakuzë kundrejt komandantëve të UÇK-së zgjojnë përgjegjësinë morale, politike dhe institucionale të Shqipërisë dhe ndër to kuvendi si institucioni numër 1 në hierarkinë institucionale, gjen përgjegjësinë edhe në këndvështrimin e çështjeve të ngritura nga rezulota parlamentare e Këshillit të Europës”, tha Balla.

Por ndërsa kërkoi të argumentonte ngritjen e këtij komisioni dhe ta lidhte atë me momentin e gjyqit ndaj liderëve të UÇK-së, Balla u kujdes sërish të sulmonte opozitën.

“Dhe mendoj se të gjithë biem dakord që kësaj godine dhe këtij institucioni (parlamenti) në 30 vite, nuk besoj që ka një turp më të madh që përfaqësuesi i parlamentit si përfaqësues i mazhorancës së asaj kohe, të ketë votuar. Dhe nuk bëhet fjalë për një votë të Ilir Rusmajlit, por për një votë të mazhorancës së asaj kohe. Vota e 25 janarit 2011 nuk  ka qenë votë personale, por votë e mazhorancës së asaj kohe PD-LSI, ku PD kishte kryeministrin dhe LSI Ministrin e Jashtëm. Dhe nga Ministria e Jashtme sikurse kuvendi na ka vënë në dispozicion një pjesë të arkivës së komunikimt, na është konfirmuar ai qëndrim”, u shpreh Balla.

Megjithatë më tej, kreu i grupit parlamentar të PS-së u përpoq të tregohej i painteresuar, që përmes këtij veprimi të ketë në target sulme ndaj opozitës, edhe pse në fakt koha e ngritjes së komisionit parlamentar, rastësisht ose jo, përkon me kohën kur vetë Kryeministri Rama ngre pikëpyetje mbi rolin dhe aktivitetin e kreut të PD-së në UNMIK.

Rastësisht ose jo, pikërisht në momentin kur kreu i PD sulmohet nga mazhoranca mbi çështjen e UÇK, një tjetër akuzë ngrihet ndaj tij nga një qytetar i Krushës: ai akuzon se zoti Basha ka marr prej tij një kasetë me imazhet e masakrës. Kaseta për të cilën, ish-deputeti socialist Dashamir Peza, dikur përkthyes në BBC, deklaroi se është marr nga BBC, që në fakt në atë kohë ka transmetuar një pjesë të imazheve.

Megjithatë, sipas Ballës heshtja e Bashës konfirmon të vërtetën:

“Lulzim Basha ka një përgjegjësi të karakterit moral në këtë situatë, dhe në asnjë moment nuk është objekt i punës sonë Lulzim Basha. Me heshtjen e tij historike për çdo akuzë që ngrihet ndaj tij, Basha thjesht konfirmon të vërtetën. Shqetësimi ynë ngrihet me nevojën që Shqipëria si një vend sovran duhet që çështjet që nuk ka shqiptar në këtë vend që të besojë historira të karakterit të ndodhive të krimeve të luftës, qoftë në Has apo në Kukës dhe besoj që çështja e shtëpisë së verdhë është e sqaruar, por të gjitha këto unë mendoj që duhen mbledhur”.

Por ndërsa çështja e shtëpisë së verdhë, tashmë konsiderohet e sqaruar edhe për faktin se as ish-presidenti Thaçi nuk është pyetur lidhur me të në Hagë, ajo që zoti Balla sërish nuk na e bëri të qartë është çfarë do të hetojë konkretisht komisioni i posaçëm në Shqipëri dhe kujt do t’i shërbejë ky hetim, që sipas tij është jetik? A po e shfrytëzon politika shqiptare historinë e UÇK-së, pikërisht pak muaj përpara zgjedhjeve, kur duket se tonet e atdhedashurisë janë një bonus në kutinë e votimit?/Opinion.al

Pas