-Kulturë

A është e kënaqur Shqipëria me vendimin e Konferencën së Ambasadorëve për kufijtë



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 13:34 - 14/07/22 |
Opi Nion

Revista franceze “Les Cahiers des Droits de l’Homme” ka botuar, me 25 janar 1922, në faqen n°47, opinionin e atdhetarit, shkrimtarit, diplomatit dhe politikanit shqiptar, z. Mit’hat Frashëri**, në lidhje asokohe me vendimin e Konferencës së Ambasadorëve për kufijtë e Shqipërisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Korrespondencë

Në Shqipëri

Paris, 26 dhjetor 1921.

Zoti Sekretar i përgjithshëm,

Në letrën tuaj të datës 22, ju më pyesni nëse vendimi i Konferencës së Ambasadorëve për kufijtë shqiptarë kënaq Shqipërinë dhe nëse jo, cilat janë rezervat dhe kritikat që na frymëzon ky vendim?

Shqiptarët kujtojnë, me mirënjohje të përzemërt zërin e ngritur në prill 1920 nga Lidhja Franceze për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarit, dhe jehonën e favorshme që ky zë gjeti në të gjitha qarqet franceze. Në Konferencën e organizuar nga Lidhja në sallën e Shoqërisë Gjeografike, u mor një rezolutë, e cila ndër të tjera shprehu dëshirën për të parë dhënien e pavarësisë së Shqipërisë dhe kufijve të saj të vitit 1913. (Shih [Shqipëria dhe Paqja e Evropës, f. 70.])

Megjithatë, Konferenca e Ambasadorëve, duke konfirmuar sovranitetin dhe pavarësinë e Shqipërisë, bëri korrigjime territoriale në tri pika të kufirit.

Një nga këto korrigjime i imponon Shqipërisë sakrificën e dhimbshme të një treve të populluar nga të paktën 40 mijë banorë, të gjithë shqiptarë nga raca, gjuha dhe ndjenjat. Është rajoni i Gorës, në jug dhe në perëndim të qytetit të Prizrenit. Ky gjymtim i imponohet Shqipërisë për asnjë arsye tjetër veçse asaj për t’i siguruar shtetit fqinj (Serbisë) një pozicion strategjik dominues, shqetësim të kotë për një vend dymbëdhjetë herë më të madh dhe më të fortë se Shqipëria.

Konferenca, ndër të tjera, parashikon dy modifikime të tjera në kufirin e Shqipërisë, njëri në veri të qytetit të Shkodrës, tjetri në anën e Dibrës, gjithmonë në dobi të shtetit fqinj. Për ndryshimin që do të sillet në Veri, Konferenca pretendon nevojën e mbrojtjes së Podgoricës, një qytet i vogël shqiptar i aneksuar në Malin e Zi në 1880; megjithatë, ky vend mbrohet mjaftueshëm nga vargmalet që e ndajnë atë nga kufiri aktual i Shqipërisë, ndërsa nëse dikush do ta shtynte këtë kufi, Shkodra do të vendosej nën mbikqyrjen e dorës (thundrës) serbe; por ajo (Shkodra) është metropoli më i rëndësishëm i Shqipërisë.

Nga ana e Dibrës, Konferenca u anua nga shqetësimi për t’i siguruar Serbisë zotërimin ekskluziv të rrugës që shkon nga Struga në Dibër, një rrugë që kalon përgjithësisht në territorin serb, por që në dy pika, kalon ndërmjet Shqipërisë, për të dalë menjëherë prej aty. Për kënaqësinë e kësaj rrugëdalje, Konferenca ka planifikuar t’i lërë Serbisë një zonë thjesht shqiptare që përfshin njëzet e pesë fshatra të shpërndara në një fushë pjellore, i vetmi cep i kultivueshëm i një rajoni tërësisht malor…

Prandaj është e nevojshme të pyesim nëse anëtarëve të Konferencës së Ambasadorëve, në Paris, a nuk iu kujtua fjala e Ungjillit, e cila përfundon kështu : “Sepse ne do t’u japim atyre që kanë, dhe atyre që nuk kanë, ne do të marrim atë pak që u ka mbetur.” Mirëpo, do të kishte qenë më e saktë të kujtohej kjo shprehje tjetër : “Kush ka dy këmisha, le t’ia japë një atij që nuk ka.”

Në këtë rast, Shqipëria është ajo që përfaqëson të varfërin, pasi asaj iu hoq gjysma e territorit dhe e popullsisë së saj në vitin 1913 dhe u lanë jashtë kufijve të saj, të gjitha qytetet, qendrat e furnizimit dhe jetës intelektuale, për kënaqësi të fqinjëve të saj.

Para Këshillit të Lidhjes së Kombeve, të mbledhur në seancën e jashtëzakonshme nga 16 deri më 19 nëntor të kaluar, delegati shqiptar bëri këtë deklaratë : “Shqipëria ka dëshiruar gjithmonë paqen. Me shpresën për ta arritur, asaj iu desh t’i nënshtrohej vendimit të Konferencës së Ambasadorëve, ashtu siç iu nënshtrua, në vitin 1913, atij të Konferencës së Londrës, e cila i privoi gjysmën e popullsisë së saj me territorin që banon. »

Shqiptarët nuk janë xhelozë ndaj dashamirësisë që Konferenca e Ambasadorëve i ka dëshmuar Serbisë; vetëm se u vjen keq që kjo mirësi ushtrohet në kurriz të Shqipërisë.

Vendimi i Konferencës së Ambasadorëve ishte vendimtar për korrigjimin e Gorës; sa për dy të tjerat, nëse e keqja parashikohet, ajo ende nuk është kryer; Konferenca e pa të arsyeshme t’i linte Komisionit të Kufijve – i cili do të niset për në Shqipëri – detyrën për të prerë pak a shumë thellë mishin shqiptar.

A do të mundet ky Komision të parandalojë një padrejtësi të re ndaj një vendi të vogël, i cili tashmë ka vuajtur kaq shumë, një padrejtësi aq më mizore sa dhe të padobishme?

Ju lutem pranoni, zoti Sekretar i Përgjithshëm, garancitë e konsideratës sime më të lartë.

Një shqiptar

Pas