Bota

A do ta furnizojë Perëndimi Ukrainën me tanke luftarake?



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 21:22 - 13/01/23 |
Opi Nion

Shteti i parë që e theu akullin me vendimin se do të dërgojë tanke në Ukrainë ishte Franca. Francezët deklaruan në 4 janar se do ta furnizojnë Ukrainën me tanke të lehta, siç i quajnë francezët, apo me makina të blinduara ushtarake, siç i quajnë ato të tjerë.

Vetëm 24 orë më vonë, kancelari gjerman Olaf Scholz pasi telefonoi me presidentin amerikan Joe Biden deklaroi se edhe Gjermania dhe SHBA do ta furnizojnë Ukrainën me tanke të lehta. Britanikët thanë se do të bëjnë të njëjtën gjë. Gjermania do t’i japë Ukrainës edhe një sistem antiraketor Patriot.

Është fjala për tanke të lehta që shoqërojnë tanket luftarake në betejë. Me deri 10 ushtarë në bord, detyra e tyre është të neutralizojnë njësitë antitank të armikut dhe të shkatërrojnë tanket e kundërshtarit. Këto tanke kanë topa 20-25 mm dhe raketa antitank.

Francezët do të dërgojnë modelin e tyre AMX-10 RC, gjermanët tanket Marder, ndërsa amerikanët tanket Bradley. Me këtë arrihet një pikë kulmore në armatimet e deritashme të Perëndimit për Ukrainën.  Kjo sepse tanket në fjalë mund të përdoren në vijën e frontit nga ukrainasit për të thyer frontin e kundërshtarit. Deri tani, si SHBA ashtu edhe Gjermania e kanë furnizuar Ukrainën me automjete transporti dhe automjete mbështetëse.  Por tani është hapur madje diskutimi për ta furnizuar Ukrainën edhe me tanke të rënda perëndimore.

Arsye të shkallëzimit të armatimit nga Perëndimi për Ukrainën

Nga ana formale, ekspertë të së drejtës ndërkombëtare dhe gjeneralë gjermanë thonë se për sa kohë një shtet nuk dërgon trupa në shtetin që ndodhet në luftë nuk mund të flitet për përfshirje në luftë. Por kufijtë e kësaj hapësire nuk janë të pafundëm.  Prandaj shtetet perëndimore po avancojnë për armatimet ndaj Ukrainës vetëm së bashku, jo të veçuara, për të qëndruar si bllok përballë Rusisë.

Synimi i përbashkët i të gjitha shteteve perëndimore dhe lindore demokratike është që të ndalet lufta. Por për momentin dukemi larg kësaj. Presidenti polak Andrzej Duda e shprehu këtë qartë kur tha se “lufta nuk po mbaron”. “Gjithçka tregon se Rusia do të vazhdojë të zhvillojë një luftë rrënuese kundër Ukrainës”.

Këtu duhet kërkuar edhe shpjegimi për shkallëzimin e armatimit nga Perëndimi. Sipas presidentit amerikan Joe Biden “lufta ka arritur një pikë kthese”. Shtetet perëndimore janë të shqetësuara se pas dimrit në Ukrainë mund të pasojë një ofensivë e madhe ruse. Kjo është e mundur sipas ekspertëve me trupat e reja të mobilizuara nga Rusia dhe me një mobilizim të ri, për të cilin flitet.

Deputeti gjerman i Bundestagut, që ka qenë më parë ushtarak, Roderich Kiesewetter, i tha DW se Rusia dominon në përshkallëzim. Dhe ne duhet ta thyejmë këtë. Kiesewetter tha se Gjermania duhet “të sjellë Ukrainën në një pozicion për negociata”.”Dhe pastaj ne mund të negociojmë, ata mund të negociojnë me Rusinë”.

Polonia dhe Franca kërkuan armatimin me tanke

Polonia druhet që pas Ukrainës mund të jetë ajo objekt shënjestre e një sulmi rus. “Po të mos e mbrojmë pavarësinë e Ukrainës, ne do të jemi objekti i radhës”, tha të enjten zëdhënësi i qeverisë polake. Prandaj polakët nuk rreshtin së kërkuari armatim të rëndë për Ukrainën. Presioni është për polakët një rrugë për të nxitur shtetet e tjera të NATO-s të dërgojnë armatime, pasi të veçuar polakët nuk duan të veprojnë. Franca ka qenë e vetmja që e deklaroi si vendim dërgimin e tankeve të lehta në Ukrainë. Por vendimi i Francës megjithatë nuk është aq i veçuar sa duket. Sipas zyrtarëve francezë, vendimi francez për tanket qe koordinuar me grupin e kontaktit Ramstein, ku marrin pjesë rreth 50 shtete që furnizojnë me armë Ukrainën.

Edhe Franca dëshiron fundin e luftës, si të gjitha shtetet demokratike perëndimore. Arsyeja që francezët nxituan me deklaratën e tyre për tanket duhet parë te një preferencë e Presidentit Macron për të dalë i pari, edhe me deklarata. Por ka edhe një arsye tjetër të mundshme, pse Franca vendosi e para për armatimin me tanke të Ukrainës.  Kjo mund të kërkohet në shndërrimet në raportet e forcave, që janë përshpejtuar në Evropë me shpërthimin e luftës në Ukrainë.

Me spiralen e armatimit që ka nisur në të gjitha shtetet e BE, roli ushtarak i Francës si fuqia e vetme atomike, si fuqi e madhe ushtarake ecën mund të zbehet. Veç kësaj, investimet e Perëndimit te Ukraina, për shkak të luftës, mund ta afrojnë Ukrainën me BE më shpejt se çdo të ndodhte në kohë normale paqeje. Kështu, statusin e kandidatit për në BE Ukraina e mori tani për shkak të luftës, jo për shkak të reformave. Franca, por edhe shtete të tjera janë të rezervuara për këtë. Jo rastësisht Komuniteti politik Evropian, i konceptuar fillimisht si një paradhomë e BE, u prezantua nga Franca vetëm pak pasi shpërtheu lufta në Ukrainë.

Reagimi i Gjermanisë me rol për furnizimin e Ukrainës me tanke luftarake

Polonia dëshiron ta furnizojë Ukrainën tani edhe me tanke luftarake Leopard 2. Këto tanke të sofistikuara janë zhvilluar në Gjermani. Por rregulli është që transferimi i armatimeve të prodhimit gjerman te palëve të tjera ka nevojë për miratimin e Gjermanisë. Kërkesa të mëparshme për këtë, si p.sh. nga Spanja, Gjermania i ka refuzuar. Këtë herë megjithatë ka sinjale se Gjermania mund të bjerë dakord për dërgimin.

Zëvendëskancelari gjerman Robert Habeck tha të enjten se Berlini nuk duhet ta pengonte Poloninë të eksportonte tanket. “Gjermania nuk duhet ta kundërshtonte vendimin e vendeve të tjera për të mbështetur Ukrainën”, tha zëvendëskancelari gjerman. Por sipas ministres gjermane të Mbrojtjes, Lambrecht, Polonia ende nuk ka bërë kërkesë. Vendimi përfundimtar megjithatë ka pak gjasa të merret para 20 janarit, kur do të mblidhet grupi i formatit të Ramstein-it. Kjo do të jetë me gjasa temë edhe në Konferencën e Sigurisë në Mynih, në mes të shkurtit.

Tanket perëndimore janë më superiore në fuqinë e zjarrit dhe në blindazh se tanket e modelit sovjetik T-72 , për të cilat Ukraina ka vështirësi për pjesë këmbimi. Ushtria ukrainase ka thënë se i duhen të paktën 300 tanke perëndimore. Edhe në Uashington po flitet për dërgimin e tankeve Abrams. Por shumica e ekspertëve thonë se më të favorshme për Ukrainën do të ishin tanket Leopard 2. Kjo pasi tanke gjermane Leopard kanë në rezervat e tyre 13 shtete evropiane. Të gjithë bashkë kanë rreth 2000 Leopardë, një rezervuar shumë më i madh për Kievin./DW

 

Pas