A do të ketë ndonjë përgjegjës për situatën e krijuar nga tërmeti, sa i përket mënyrës se si është ndërtuar. Zëvendës ministri i Infrastrukturës, Artan Shkreli në emisionin Opinion tha se kjo është një punë e prokurorisë.
“Nuk di nga ta fillosh. Prokuroria në këto momente, pasi kaloi trauma, filloi të interesohej për marrjen e provave sidomos në objekte që kishte viktima. Këto objekte u shkatërruan pasi u morën prova, Instituti i Ndërtimit është i detyruar në prani të oficerit të policisë gjyqësore të marrë prova. Prova janë të natyrës materiale, kampione të betonit, si janë vënë hekurat aty, etj”, tha zëvendës ministri i Infrastrukturës.
I pyetur për ato ndërtime që janë pa leje dhe që nuk ka një projekt ai deklaroi: Kompania nuk është fantazim, banorët e dinë kush e ka bërë. Do pyetet administratori lokal, në rastin kur është bërë me kompani të ndryshme. Ndërtimet pa leje shprehin mënyrën e tranzicionit që ka bërë Shqipëria, si në politikë ashtu dhe në infrastrukturë.
Ndërkohë gazetari Mentor Kikia thotë se prokuroria nuk e ka bërë mirë punën e saj.
“Prokuroria nuk duhet të jetë asnjëherë në traumë. Nga raportimet e gazetarëve, rezulton që pallatet e para që janë shembur, apo pallatet që ishin shembur nga tërmeti janë larguar rrënojat pa u marrë prova nga prokuroria. Vetëm në ditën e 5 prokuroria ndërhyri dhe tha që të mos prishen objekte pa qenë në prezent”./ Opinion.al