Një ish-tunel i ushtrisë i përshtatur me llamba, për kultivim të bimëve narkotike, është zbuluar nga policia në zonën e mbrojtur mjedisore Krastë.
Gjatë kontrollit efektivët e policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 390 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, sistem ndriçimi me 30 llamba, 1 aspirator, 2 ventilatorë, 30 rritës të energjisë elektrike, si dhe pajisje të tjera që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.
Në vijim të operacionit, tre persona u arrestuan, mes tyre dy punonjës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Bëhet fjalë për H.S., 61 vjeç dhe R.H., 58 vjeç, të dy banues në banues Halil, Krujë, si dhe A.S., 21 vjeç, banues Fushë Krujë. Nga hetimet rezultoi se shtetasi A.S. ushtronte edhe veprimtrainë e paligjshme të lojërave të fatit.
Policia konstatoi se tuneli furnizohej me energji elektrike të pandërprerë, nëpërmjet një lidhjeje të paligjshme të energjisë elektrike, në shtyllën e tensionit në fshatin Halil, Fushë Krujë, lidhje për të cilën ka qenë e nevojshme patjetër ndërhyrja e specializuar e punonjësve të OSHEE-së së zonës.
“Për këtë arsye u bë arrestimi i punonjëve së OSHEE-së, shtetasve O. F. dhe E. H., me detyrë punonjes të OSHEE-së Fushë Krujë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim 2 punonjës të tjerë të OSHEE-së, shtetasi S. K., me detyrë përgjegjës i grupit të OSHEE-së (i arrestuar dhe më parë për këtë paligjshmëri) dhe shtetasi E. K., me detyrë elektricist i zonës”-njofton policia.
Vijon puna hetimore për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.