Dy persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës pasi kanë dhunuar për shkak të detyrës një mjeke, dëmtuan dyert dhe dritaret e spitalit ku ajo punonte.
Mësohet se në pranga kanë rënë shtetasit Igli Spahija, 41 vjeç dhe Bledar Bali 54 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit: K. S., 50 vjeç me precedent të mëparshëm penal, E. Xh., 47 vjeç dhe A. M., 55 vjeç.
“Këta shtetas, rreth orës 02:00 të mëngjesit, në ambientet e një spitali shtetëror, kanë goditur me grushte, për shkak të detyrës, një mjeke të këtij spitali, me pretendimin për neglizhencë mjekësore ndaj një të afërmi të tyre, që mjekohej në këtë spital, si dhe kanë dëmtuar dyert dhe dritaret e këtij institucioni”,-njofton policia.
Gjithashtu, këta shtetas nuk iu janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë që shkuan në vendin e ngjarjes, menjëherë pas marrjes së njoftimit për këtë rast.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Goditje për shkak detyrës”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Shkatërrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim.