Deputeti serb Zvonimir Steviç ka dhënë dorëheqjen pasi u filmua duke parë video porno gjatë një debati në parlament javën e kaluar, ku po diskutonin për Kosovën. Videoja që bëri bujë në rrjet, e tregon deputetin të ulur në karrige ndërsa shikonte në celularin e tij përmbajtjen pornografike.
Deputeti Zvonimir Steviç, anëtar i Komisionit Parlamentar për Kosovën, pjesë e Partisë Socialiste u detyrua nga partia e udhëhequr nga zv/kryeministri Daçiç të dorëzojë mandatin, por presidenti Vuçiç ka dalë i irrituar nga këto zhvillime.
Ai ka mbledhur në një takim urgjent ministrat, kryeministren Brnabiç dhe kreun e parlamentit Vladimir Orliç. Sipas mediave serbe presidenti u ka thënë bashkëpunëtorëve të tij se ishte i gatshëm që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Kreu i shtetit serb citohet të ketë thënë se ishte shumë i zhgënjyer nga sjellja e socialistëve.