Presidenti i Turqisë Erdogan tha të dielën se misionet diplomatike perëndimore “do të paguajnë” për paralajmërimet që ata lëshuan dhe mbylljen e përkohshme të konsullatave të tyre në Stamboll javën e kaluar, pasi policia turke arrestoi 15 xhihadistë të dyshuar, duke siguruar se nuk ka asnjë kërcënim serioz për të huajt në vend.
Ankaraja thirri ambasadorët e nëntë vendeve të enjten e kaluar për të shprehur pakënaqësinë e saj për mbylljen e përkohshme të konsullatave. Zyrtarët turq thanë të nesërmen se ato vende perëndimore, ku përfshiheshin SHBA dhe Gjermania, nuk kishin ndarë informacionin që kishin për të mbështetur pretendimet e tyre për një kërcënim të sigurisë.
“Ditën tjetër, Ministria e Jashtme i thirri të gjithë dhe u dha ultimatumin e nevojshëm: Do ta paguani shtrenjtë nëse vazhdoni kështu’”, tha Erdogan në një takim të filmuar me të rinjtë që u shfaq sot.
Përveç mbylljes së konsullatave, shumë vende perëndimore paralajmëruan qytetarët e tyre për rrezikun e sulmeve ndaj misioneve diplomatike dhe objekteve jomuslimane të kultit në Turqi, pas një sërë protestash në Evropë, në të cilat protestuesit e ekstremit të djathtë dogjën Kuranin, librin e shenjtë mysliman.
Turqia pezulloi negociatat për anëtarësimin e Suedisë në NATO muajin e kaluar pas një demonstrate në Stokholm.
Erdogan tha se vendet perëndimore po përpiqeshin të “fitonin kohë” dhe se “vendimet e nevojshme” do të merren në mbledhjen e nesërme të kabinetit, pa dhënë më shumë detaje./Opinion.al