Duke nisur nga kjo e mërkurë do të hyjë në fuqi harta e re gjyqësore. 5 Gjykatat e Apelit në rrethe nuk do të funksionojnë më, por do të ketë vetëm një Gjykatë Apeli në Tiranë.
Me vendim të KLGJ-së gjykatat ne rrethin e Gjirokastrës, Korçës, Shkodrës, Durrësit dhe Vlorës janë shkrirë dhe funksionale do të jetë vetëm Gjykata e Apelit në Tiranë, që do të shqyrtojë të gjitha çështjet.
Ndërkohë, kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami, në një takim mes anëtarëve të KLGJ dhe gjyqtarëve, bëri të ditur se kjo hartë e re gjyqësore do të përmirësojë cilësinë e shërbimit.
Gjatë një konference për mediat Llagami, tha se krijimi i një Apeli të vetëm në Tiranë, do të bëjë që mos të dështojë asnjë seancë gjyqësore duke shtuar se qytetarit do t’i shërbehet më mirë.
“Këshilli i Lartë Gjyqësor po merr masa si ta mbështesë këtë gjykatë. Unë nuk dua t’i përmend se kjo do të jetë te takimi i radhës. Ajo që është e rëndësishme është që sot që ne do të fillojmë gjykimet në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, nuk do të dështojë asnjë seancë. Sot qytetarit do t’i shërbehet më mirë se në ditën që do lejë seancën do të marrë shërbim. Kjo është e rëndësishme për qytetarin, jo ku ndodhet gjykata. E kam thënë dhe publikisht, gjykatën mund ta kishim shumë metra afër shtëpisë dhe nuk mund të merrnim shërbim”, tha Llagami.