Emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan ka udhëtuar drejt Shkodrës. Abdyl Koprencka është denoncuesi, i cili prej shumë vitesh jeton në Amerikë.
Në vitin 1993 ai përfiton nga Ndërmarrja e Banesave Shkodër një apartament. Më pas ai shkon në Amerikë dhe kur kthehet pas ca vitesh, sheh se banesën ia kishte zënë fqinji, i cili pretendon se gjithashtu e ka përfituar nga kjo ndërmarrje me anë të kontratës së shitblerjes. Në vitin 2011, Abdyli pajiset edhe me certifikatë.
Pas shumë përpjekjesh gjyqësore, Gjykata e Shkodrës, në 2011-ën, me vendim të formës së prerë, e bëri të pavlefshme kontratën e fqinjit dhe urdhëroi ZRPP-në në atë kohë të korrigjonte të dhënat e pronës, duke ia dhënë Abdylit dhe të vëllait, Orhanit.
Denoncuesi: Adresa ime është pallati 986, apartamenti 16, Shkodër, rruga Vasil Shanto. Unë banoj në këtë apartament, por vite përpara kam ikur në Amerikë dhe komshia im, bashkë me bashkëshorten kanë hyrë dhe e kanë shpërthyer atë shtëpi dhe kanë marrë çdo gjë dhe kanë falsifikuar dokumentat. Unë kam bërë shumë gjyqe dhe kam tapinë, kam të gjithë dokumentat. Ata qëndrojnë padrejtësisht duke pretenduar se kjo shtëpi nuk ka pasur asnjë njeri dhe ka qenë një studio. Këta gënjejnë dhe mashtrojnë dhe më kanë vjedhur e grabitur. Unë kam dokumentat, por ata kanë shtëpinë. Ju lutem shumë më ndihmoni për ta zgjidhur këtë problem që kam shumë vite nëpër gjykata dhe nuk kam mundur ta mbaroj.
Në vitin 2015 dhe në vazhdim denoncuesi paditi fqinjin, duke kërkuar t’i lirojë pronën, por gjykatat e kanë pushuar si çështje dhe mbeti po ashtu deri në 2022-shin, kur Abdyli e paditi sërish fqinjin.
Idlir Duhanxhi (Avokat): Që në fillim fare në këtë gjykim, duhet të ishte bërë përveç konstatimit të pavlefshmërisë absolute, duhet të ishte kërkuar edhe lirimi dhe kthimi i sendeve meqënëse posedimi aktualisht, edhe sot që flasin e kanë të paditurit Artan dhe Elmira Kruja. Normalisht, kjo pronë ligjërisht dhe juridikisht është në pronësi të Orhan Krajës dhe të Abdyl Koprenckës, ndërsa efektivisht posedimin vijojnë ta kenë Artan Kruja dhe Elmira Kruja. Ka bërë një padi në Prill të 2015-ës dhe ku Gjykata e Shkodrës me vendimin e Prillit të 2015-ës ka vendosur pushimin e çështjes. Pas muaj më pas, ka bërë përsëri padi dhe Gjykata e Shkodrës me vendimin e 05.02.2016 ka vendosur përsëri pushimin e çështjes. Gjykata e Apelit me vendimin e 12.02.2020 ka lënë në fuqi vendimin për pushimin e çështjes. Zotërinjve në fjalë, Artan Kruja dhe Elmira Kruja, unë kam bërë edhe një kallëzim penal në emrin e shtetasit Orhan Kraja në lidhje me dhunimin e banesës, mashtrim, shkatërrim prone dhe falsifikimi i dokumentave./Tv Klan