Publikimet e librave interesantë dhe me vulën e garantuar të suksesit nga Blendi Fevziu do të vijojnë të jenë pjesë e stendave të librarive.
Në intervistën për “Rudina” në Tv Klan, gazetari zbulon se në planet e tij janë tre libra, dy prej të cilëve në formatin e albumeve që i përkasin dy tematikave të ndryshme.
Libri i tretë është një projekt në vazhdim për një prej pasioneve më të njohura të Fevziut, udhëtimet.
Blendi Fevziu: Jam duke shkruar 2-3 gjëra. Po punoj me dy projekte paralel. Një album për 25 vitet e emisionit “Opinion” që i mbusha verën e kaluar që do të jetë foto me tekst për të shpjeguar momentet, që në njëfarë mënyre është edhe një historik i këtyre 25 viteve në Shqipëri dhe po shoh mundësinë të ndërtoj një album me 100 foto që kanë bërë historinë e Shqipërisë,me tekstin përshkrues, që është si të thuash, një rishikim i historisë së Shqipërisë përmes fotove.
Ndërkohë, kam një libër që e kam nisur, por e kam lënë pezull në varësi të zhvillimeve, që lidhet me udhëtimet. Domethënë me udhëtimet që unë kam bërë nëpër botë, me raportin si udhëtar. Raporti si udhëtar është shumë i ndryshëm në raportin me të turistit dhe i ndryshëm me atë të njeriut të zakonshëm.
Gjatë vitit 2022, Fevziu thotë se ka vizituar 12 vende të reja ndërsa në planet e 2023 janë Mauritania dhe Mali, dy destinacione të vështira, por shumë intriguese për gazetarin.