Pikturat prehistorike në shpella, të cilat u shfaqën 37,000 vjet më parë, janë manifestimet më të vjetra artistike të njeriut. Sipas antropologëve, janë edhe fillimi i kuptimit të së shenjtës. Subjektet e përshkruara në shpella, si luanët, rinocerontët, buajt dhe mamuthët, konsideroheshin si “Zotët e kafshëve”, shpirtra për t’u respektuar dhe për t’u falënderuar për suksesin e gjuetisë dhe për pjellorinë.
Nga një studim që u shfaq në Cambridge Archaeological Journal, shenjat e para të një gjuhe të shkruar do të ishin lënë pranë kafshëve të paraqitura. Në veçanti, këto shenja gjenden në rreth 400 shpella evropiane si Lascaux, Chauvet dhe Altamira. Grupet Homo sapiens të Paleolitit të Sipërm i gjurmuan duke filluar nga 42,000 vjet më parë, dhe më pas i shoqëruan me imazhet figurative të kafshëve duke u shfaqur 5,000 vjet më vonë. Qëllimi dhe kuptimi i shenjave jo-figurative të paleolitit të sipërm evropian u kishte shpëtuar studiuesve.
Duke përdorur datbazën e të dhënave të imazheve, ekspertët sugjerojnë se tre nga shenjat më të shpeshta si viza <|>, pika <•> dhe <Y > – funksiononin si njësi komunikimi.
Kur gjendet në lidhje të ngushtë me imazhet e kafshëve, rreshti <|> dhe pika <•> përbënin numra që tregonin muajt dhe d formonin pjesë të një kalendari që fillon në pranverë dhe regjistron kohën me muajt hënorë. Shenja <Y> kishte kuptimin e “të lindësh”. Pozicioni i <Y> brenda një sekuence shenjash tregon muajin e dorëzimit.
Në këtë mënyrë, sistemi synonte të lidhte kafshët e ndryshme të përshkruara me një kalendar hënor, duke treguar sjelljen e tyre sezonale në një zonë të caktuar gjeografike. Në përkthim, u krijua një ideogram i cili ndoshta komunikonte: “Unë Zoti i buallit ju them nga bota shpirtërore se fëmijët e mi të botës tokësore me mish e gjak janë të disponueshëm në numër të madh për gjuetinë tuaj këtë muaj. Dhe në këtë muajin tjetër do të kenë të vegjlit” .
Duke qenë se gjuetarët prehistorikë ishin shumë të lëvizshëm, ishte një sistem i vërtetë komunikimi edhe jashtë grupit ku ata bënin pjesë. Çiftimi i numrave me subjektet e kafshëve të pikturuara në muret e shpellave përbën një njësi të plotë kuptimi, një sistem shënimesh, ashtu si shkrimi në pllaka balte do të bëhej disa mijëra vjet më vonë në Mesopotaminë bujqësore.
Ia vlen të përmendet që shkrimi hieroglifik egjiptian bazohej pikërisht në ideograme. Sipas studiuesve, tani me këto shenja shumë më të vjetra, ne mund të lexojmë komunikimin e parë të shkruar të lindur në Paleolitin e Sipërm Evropian, shkrimi (ose proto-shkrimi) më i hershëm i njohur në historinë e Homo sapiens.