Zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ndryshimet kushtetuese kanë përplasur kreun e BDI-së, Ali Ahmeti dhe partinë opozitare VMRO-DPMNE. Ahmeti mbrëmë i dërgoi porosi Mickovskit që mos të ëndërrojë shumicë me Apasievin, kurse nga kjo e fundit thonë se për Qeverinë nuk vendos Ahmeti, por populli në zgjedhje.
Kreu i BDI-së Ali Ahmeti nga Gostivari ju bëri thirrje partive politike që të përkrahin ndryshimet kushtetuese, njëkohësisht i dërgoi mesazh partisë opozitare VMRO-DPMNE-së se gabon nëse mendon që me Partinë e Majta e Apasievit mund të formojë shumicë prej 61 deputetëve.
“Partitë politike duhet të punojnë për të bindur njerëzit se nuk ka zgjidhje më të mirë dhe e vetme që bullgarët të bëhen pjesë e kushtetutës dhe të hapim kapitullin e parë sepse fitojnë të gjithë palët që jetojnë në këtë vend. Jam thellë i sigurt dhe besoj në definimin e partive politike kryesore, të cilat kanë orientim properëndimor. VMRO-DPMNE gabon nëse mendon që me Levicën do të bëjë shumicë prej 61 deputetësh dhe ta margjinalizojë BDI-në, si një pengesë e vetme e tyre. Bëjnë shumë gabim dhe të mos ëndërrojnë për diçka të tillë”, tha Ahmeti.
Ndaj deklaratës së Ahmetit reaguan nga partia opozitare VMRO-DPMNE duke theksuar se për Qeverinë nuk vendos Ahmeti, por populli në zgjedhje.
“Ali Ahmeti mbrëmë tha që VMRO të mos ëndërrojë krijimin e shumicës me Levicën. Por, Ahmeti duhet të dijë tre gjëra: 1. Për qeveri të re nuk vendos Ahmeti, por populli në zgjedhje. Pushtetin e jep dhe e merr vetëm populli në zgjedhje, për atë shumë frikësohen dhe ikin që të përballen me popullin. 2. Rregulli i koalicionimit fituesi me fituesit nuk vlen dhe askund nuk është i shkruar, kështu që frika e BDI-së nga krimet bashkë me LSDM-në për atë u rritet. 3. Është mirë që me këto deklarata i zbulojnë spikatësit dhe asët në politikë, por VMRO këtë qeveri do ta rrëzojë bashkë me popullin”, Dragan Kovaçki, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Nga VMRO-DPMNE thonë se kjo përbërje aktuale nuk ka mandat për ndryshime kushtetuese, sipas tyre, çështja e vetme për të cilën duhet të mblidhen e të diskutojnë partitë politike janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Tv Klan