Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka pretenduar se forcat e saj kanë marrë nën kontroll qytetin e Soledarit, që gjendet në lindje të Ukrainës.
Ky qytet është përballur me luftime të ashpra në javët e fundit.
Ministria ruse tha më 13 janar se mori gjatë natës kontrollin e këtij qyteti strategjik, ku gjendet një minierë e madhe kripe.
Ky pretendim rus nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur dhe zyrtarët ukrainas ende nuk kanë komentuar për këtë çështje.
Më herët gjatë 13 janarit, Ukraina tha se po përballet me një ofensivë ruse “të intensitetit të lartë” në Soledar.
“Nata në Soledar ishte e nxehtë. Luftimet po vazhdojnë. Armiku ka zhvendosur pothuajse të gjitha forcat e tij kryesore drejt Donjeckut dhe po zhvillon një ofensivë me intensitet të lartë”, tha zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes, Hanna Malyar.
“Kjo është një fazë e vështirë e luftës, por ne do ta fitojmë luftën. Nuk ka asnjë dyshim për këtë”, shtoi ajo.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se qindra ushtarë ukrainas janë vrarë në tre ditët e fundit, gjatë luftimeve të ashpra dhe bombardimeve. Zyrtarët ukrainas thanë se mbi 500 civilë janë bllokuar brenda qytetit, përfshirë 15 fëmijë. Rusia nuk është deklaruar për viktima në mesin e civilëve.
Rusia ka vendosur resurse të shumta në betejën në Soledar, pasi Moska po tenton të nisë sulmin ndaj qytetit të Bahmutit, që gjendet rreth 10 kilometra në jugperëndim të Soledarit.
Marrja e Soledarit do t’i jepte Rusisë mundësi që të sulmonte me artileri drejt Bahmutit.
“Marrja e kontrollit të plotë e Soledarit e bën të mundur që të ndërpriten të gjitha rrugët furnizuese për trupat ukrainase në jugperëndim të qytetit Artemovsk”, tha Ministria ruse e Mbrojtjes.
Pretendimet e ministrisë ruse vijnë disa ditë pasi Yevgeny Prigozhin, që udhëheqë grupin rus të mercenarëve, Vagner, tha se forcat e këtij grupi kanë marrë kontrollin e Soledarit.
Përderisa Soledari po vlerësohet se ka rëndësi strategjike, zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, tha se fitorja ruse atje, ose në Bahmut, mund të mos ketë ndikim shumë të madh në trajektoren e luftës së paprovokuar ruse ndaj Ukrainës, që tashmë ka hyrë në muajin e 11-të.
“Edhe nëse Bahmuti dhe Soledari bien nën kontrollin rus, kjo nuk do të ketë ndikim strategjik në vetë luftën”, tha Kirby për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë më 12 janar.