Arratiset nga burgu i Idrizovës, në Maqedoninë e Veriut, i dënuari me 21 vite burg. Bëhet me dije se shtetasi Bekim Memeti,nga Tetova i dënuar për vrasje 6 vite më parë, është arratisur gjatë transportimit për në spital.
Nga MPB thonë se arratisja e të burgosurit nga “Idrizova” ka ndodhur para mesnatës. Katër zyrtarë të burgut e kanë shoqëruar për në spital të burgosurin. Në raport thuhet se ngjarja ka ndodhur në autostradë.
Autoritetet lajmërojnë se Bekim Memeti, rrëmben pistoletën dhe plagos njërin prej shoqëruesve, konkretisht shoferin e policisë, duke i mundësuar vetes arratisjen.
“Punonjësit e policisë së burgjeve të cilët ndodheshin në një furgon “Ford Transit” të policisë së burgjeve kanë kërkuar ndihmë nga policët e SPB Shkup, pasi, sipas raportimit të tyre, gjatë shoqërimit të të dënuarit B.M. , nga INP “Idrizovë” në Qendrën Urgjente “Nënë Tereza”, në autostradë, i dënuari ia ka marrë armën shoferit I.H. (punonjës i policisë së burgjeve), ka qëlluar me armë zjarri dhe ka plagosur I.H.. Më pas i dënuari është arratisur me një automjet pasagjerësh Audi”, thonë nga MPB.
Punonjësi i policisë është dërguar në spital dhe autoritetet po merren me zbardhjen e rastit./Opinion.al