Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, në konferencën për mediat të mbajtur ditën e sotme, është pyetur nga gazetarët nëse është e nevojshme të ketë vetting edhe në administratë, nisur nga rasti i ish-zyrtares Alda Klosi, në banesën e të cilës punonjësja që kishte marrë për mirmbajtjen e banesës grabiti shuma të konsiderueshme parash.
Manja tha se “Vettingu” nuk do të mund të parandalonte plotësisht korrupsionin, pasi sipas tij dikush mund të dalë i pastër në vetting, por më pas përfshihet në korrupsion.
Sipas Manjës për këto raste janë agjencitë ligjzbatuese ata që veprojnë.
“Kur diskutohet vetingu e jep efektin. Rëndësi ka që në kulturën e shqiptarëve pavarësisht janë në administratë apo jo është ngulitur fjala veting, dhe kjo është një masë parandaluese më vete.
A duhet të ketë veting në gjithë qelizat e administratës publike? Nuk mendoj që është masë permanente qe parandalon fenomenet kriminale, vetingu është fotografi e momentit për një zyrtar, po pasi ta bëjnë vetingun çfarë do ndodhë?
Ja rezultoi i pastër një zyrtar dhe mori certifikatën e pastërtisë nuk do të thotë që fitoi imunitet ndaj korrupsionit. Ndaj janë agjencitë ligjzbatuese e sistemi i drejtësisë, të gjitha kanë përgjegjësi sa i takon korrupsionit apo fenomeneve kriminale. Gjithë agjencitë kanë përgjegjësi për korrupsionin apo fenomenet kriminale. Nëse i bëjmë vetting asaj, ja doli që ishte në rregull, por nesër fillon avazin. Sa i takon zyrtarëve të lartë publik, ka disa mekanizma që i kontrollojnë”, tha ai.