Kreu i PD, Sali Berisha, në konferencën e përjavshme për mediat, ka vijuar akuzat ndaj ambasadores së SHBA, Yuri Kim, për të cilën tha se organizoi një kremtim të padrejtë për 100 vjetorin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.
“Ky ishte një vit i ngarkuar. Po kështu ky ishte viti i 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane.
Nuk kishte kremtim më të padenjë se ai që organizoi guvernatorja Kim për 100-vjetorin.
Ajo për një vit me radhë mbajti flamurin e cancel kulture. Falsifikoi në mënyrën më të paskrupullt 100-vjetorin e marrëdhënieve të shqiptarëve me vendin që ata adhurojnë më shumë.
Arriti deri aty sa barazoi veten me Lindita Nikollën në vështrimin e saj të historisë.
Nxorën figura të inkriminuara këmbë e krye si Taulant Balla si kremtues.
U përpoq të manipulonte me çdo mënyrë vizitat e ish-personaliteteve, por që dështoi.
Së fundmi, porositi një dokumentar të tipit socialist, të realizimit socialist, ku marrëdhëniet mes dy vendeve ndërpriteshin në vitin 1991. E kuptoni vetë.
Ata që bëjnë betejë me historinë, e kanë një vend në histori”-tha Berisha.