Kryeministri Edi Rama ka reaguar për situatën në veri të Kosovës, ku këtë të enjte u hoqën barrikadat e vendosura nga serbët.
Në një postim në rrjetin social “Twitter”, kreu i qeverisë shqiptare me ironi shkruan se këtë herë shfaqja zgjati ca më shumë, por në përfundim të gjithë u kthyhen në shtëpi.
Teksa e cilëson të pakuptimtë vendosjen e barrikadave si mjet paqësor proteste, Rama kërkon mirëkuptimin e aleatëve strategjikë për të mos qenë dakord.
“Asgjë e re, shfaqja zgjati ca më shumë, tensioni u ngrit ca më lart, fjalët u këmbyen me ca më shumë zjarr, manovrat ushtarake patën ca më shumë hov, po fundi qe po i njëjti dhe të gjithë u kthyen në shtëpi, sekush me fitoren e vet me vete si gjithmonë! Ah po, diçka e padëgjuar ndodhi! Doli kuptimi i ri i barrikadës, e cila pas 434 vjetësh hyri në listën e mjeteve të protestës paqësore me bekimin e BE dhe të SHBA! Shpresojmë në mirëkuptimin e aleatëve tanë strategjikë për të mos qenë dakord në këtë pikë. Po fare. Pyetja mbeti po ajo që ishte përpara këtyre barrikadave paqësore e deklaratave armiqësore! Dhe deri kur përgjigjet e ndryshme të nisen po njësoj nga e shkuara, pyetja do të mbetet po aty edhe pas shfaqjes së radhës, kur barrikadat të thyejnë paqësisht monotoninë e hiçzgjidhjes”, shprehet Kryeministri Edi Rama.