Dy armët automatike, silenciatori, fishekët dhe uniformat si ato të policisë, që u gjetën nga RENEA në Fushë Kuqe, gjatë aksionit për kontrollin e shtëpisë së të shumëkërkuarit të drejtësisë, Ervis Martinaj, u janë nënshtruar ekzaminimeve.
Policia i ka dërguar ato në laboratorin e Policisë Shkencore, ku ekspertët po kërkojnë për gjurmë të mundshme që mund të çojnë në identifikimin e personave që i kanë pasur në zotërim.
Automatikët po kontrollohen po ashtu edhe për të parë nëse janë përdorur në ngjarje kriminale. Armët, 7 mijë fishekë dhe 9 uniformat e policisë, u gjeten të fshehura në disa koshere bletësh, së bashku me disa materiale të tjera.
RENEA zbarkoi në shtëpinë e Martinajt si pjesë e dy procedimeve penale: e para e ngritur pas dëshmisë së Nuredin Dumanit se ai kishte porositur një vrasje dhe e dyta për denoncimin e familjarëve të tij se Martinaj ishte zhdukur.
Ervis Martinaj u pa për herë të fundit në Durrës, nën shoqërinë e efektivit të policisë, Jeton Lami, i cili është i arrestuar dhe besohet se është një ndër personat e vetëm që mund të ketë dijeni për fatin e ish-bosit të lojërave të fatit./Tv Klan