Rusia akuzoi Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara se nuk po dëgjojnë shqetësimet e saj, pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, zhvilloi një vizitë historike në Uashington.
Zelensky u prit nga presidenti amerikan, Joe Biden, të mërkurën, i cili njoftoi për paketën e re të ndihmës ushtarake prej 1.8 miliard dollarë. Në këtë ndihmë për Ukrainën për herë të parë janë përfshirë edhe sistemet e mbrojtjes ajrore, Patriot.
“Me keqardhje deklarojmë se deri më tani as presidenti Biden, e as presidenti Zelensky, nuk kanë thënë asnjë fjalë që do të mund të perceptohen si gatishmëri e mundshme për të dëgjuar shqetësimet e Rusisë”, tha për gazetarët zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Ai po ashtu paralajmëroi se futja e sistemeve të avancuara të armëve amerikane në fushëbetejë, do të dëmtojnë shanset që konflikti të përfundojë.
Peskov tha se armët “nuk do të ndalojnë Federatën Ruse nga arritja e qëllimeve të saj gjatë ‘operacionit të posaçëm ushtarak’”, term që Rusia përdor për të përshkruar pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, që ka nisur më 24 shkurt.
Zyrtarët në Moskë gjatë muajve të fundit kanë përsëritur qëndrimin se ata nuk e përjashtojnë mundësinë e bisedimeve me Ukrainën.
Ata kanë fajësuar Zelenskyn për mbyllen e kanaleve diplomatike, pasi lideri ukrainas ka deklaruar se nuk do të zhvillojë negociata për aq kohë sa presidenti Vladimir Putin është në pushtet.
“Nuk kemi dëgjuar asnjë fjalë që paralajmëron Zelenskyn kundër vazhdimit të bombardimit të ndërtesave të banuara në qytetet dhe fshatrat e Donbasit dhe po ashtu nuk ka pasur thirrje reale për paqe”, tha Peskov.
“Kjo sugjeron se SHBA-ja po vazhdon linjën e saj de facto duke luftuar një luftë indirekte me Rusinë”, shtoi ai.