Gjatë një interviste në emisionin “Opinion” Ambasadori i Britanisë së Madhe Alastair King-Smith tha se në Mbretërinë e Bashkuar janë rreth 150 mijë shqiptarë dhe shumica jetojnë në mënyrë të ligjshme.
Duke folur për ndryshimet që Britania pritet të implementojë për ligjet ndaj azilkërkuesve , Ambasadori citoi Ministren e Brendshme , që tha se vend i tyre mirëpret shqiptarët, të cilët udhëtojnë legalisht në Britaninë e Madhe dhe që kontribuojnë në shoqërinë britanike.
Pjesë nga intervista
Blendi:Ju thatë se pjesa më e madhe e komunitetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar janë nga veriu. Cili është numri i shqiptarëve që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Keni statistika?
Ambasadori: Në fakt, nuk i kam shifrat e plota sepse sigurisht problemi është se shumë prej tyre janë të paligjshëm. Pra, ne nuk i kemi statistikat e plota, por ka pasur diskutime siç e dini, duke thënë se ndoshta rreth 150,000 dhe shumica sigurisht, jetojnë atje në mënyrë të ligjshme. Gjithashtu dua të citoj kryeministrin tonë pas telefonatës me kryeministrin tuaj në 1 dhjetor ku ai u shpreh se e njeh kontributin pozitiv të Komunitetit Shqiptar në jetën në Mbretërinë e Bashkuar dhe Ministren e Brendshme në Parlamentin britanik më 23 nëntor, e cila u shpreh se ne e vlerësojmë marrëdhënien me Shqipërinë dhe komunitetin shqiptar në MB. Dhe ne vazhdojmë të mirëpresim shqiptarët, të cilët udhëtojnë legalisht në Britaninë e Madhe dhe që kontribuojnë në shoqërinë britanike, kështu u shpreh ajo.
Problemi ynë është me trafikantët dhe mënyrën se si ata po i shfrytëzojnë njerëzit, dhe kjo është një sfidë e përbashkët për ne dhe për vendet e tjera.
Blendi: Është normale dhe e vërtetë, por problemi qendron te Ministrja e Brendshme Braverman, i cili bëri disa deklarata, të cilat nuk u cilesuan si te pershtatshme për shtetasit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar. Sepse nuk mund të identifikohet një komunitet me disa kriminelë apo disa trafikantë. Madje u zhvillua edhe një proteste e madhe dhe shumë popullore në Londër nga komuniteti shqiptar në muajin nëntor.
Ambasadori: Kryeministri ka shprehur keqardhjen që një pjesë e retorikës është shfrytëzuar dhe përdorur për t’i bërë njerëzit të ndihen të padëshiruar apo jo të mirëpritur. Qëndrimi i qeverisë britanike është ai që sapo ju lexova. Kryeministri njeh dhe vlerëson kontributin e vyer të pjesës dërrmuese të komunitetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar. Por edhe ne duhet të jemi të qartë. Disa nga ata që protestojnë, sigurisht po e bëjnë në mënyrë paqësore dhe ne e mirëpresim këtë në çdo kontekst. Kjo është një nga vlerat në Mbretërinë e Bashkuar. Por gjithashtu kemi parë që kriminelë dhe individë të tjerë po kërkojnë ta përdorin këtë si një mënyrë për pastruar imazhin e tyre. Pra, kjo është arsyeja pse ne duhet të fokusohemi dhe të punojmë së bashku për këto çështje./Opinion.al