Është mbyllur procesi i votimeve në 5 bashkitë e vendit, ku u zhvillua balotazhi i primareve.
Që prej orës 08:00 deri në 18:00, demokratët në Librazhd, Fier, Dibër, Mat dhe Mirëditë u janë drejtuar kutive të votimit.
Në balotazh për Bashkinë e Fierit ishin Evdar Kodhelit dhe Artur Mahmutaj.
Në Mat, zgjedhjet u zhvilluan për Bukurosh Ballabanit dhe Skënder Gjucin, ndërsa në Dibër për Besnik Alkut dhe Ismail Ukën.
Në Mirditë gara u zhvillua mes Aleksandër Lalës dhe Albert Mëlyshit, ndërsa në Librazhd ishte mes Aranit Lekës dhe Shefki Çotës.
Kujtojmë se, në primaret e 4 dhjetorit në balotazh dolën 8 bashki, mes të cilave edhe ajo e Tiranës, Krujës, Sarandës, por kandidatët me numër më të vogël votash u tërhoqën, duke zyrtarizuar në këtë mënyrë si kandidatë fitues ata që kishin siguruar numrin më të madh të votave të anëtarësisë dhe simpatizantëve në zgjedhje.
Në Tiranë kandidati i Partisë Demokratike për zgjedhjet e 14 Majit është Belind Këlliçi, në Elbasan demokratët do të garojnë me nënkryetarin e kësaj force politike Luçiano Boçi, në Shkodër me Bardh Spahinë, ndërsa në Bashkinë e Durrësit dhe atë të Korçës në zgjedhjet vendoreve PD-ja do të garojë me dy ish-deputetë, Igli Carën dhe Ledina Aliollin./Opinion.al