E gjithë struktura metalike e një mbikalimi për këmbësorët pranë Sukthit, në autostradën Durrës-Tiranë u shemb ditën e djeshme si pasojë e një aksidenti.
Shoferi i një kamioni humbi kontrollin dhe përfundoi duke u përplasur me strukturën metalike, ndërsa fatmirësisht nga ngjarja nuk pati të lënduar.
Sakaq, Autoriteti Rrugor Shqiptar përmes një njoftim në Facebook, bën me dije se do ndërtohet një mbikalim i ri dhe se sot në orën 22:00-23:00 do bëhet montimi i elementit horizontal.
Si rrjedhojë, ARRSH njofton se rruga në të dyja senset do bllokohet për 1 orë kështu, që lëvizja e mjeteve duhet të realizohet nëpërmjet rrugëve alternative.
“Mbikalimi metalik i Sukthit u dëmtua si pasojë e një aksidenti duke shkëputur komplet pjesën kaluese nga elementet anësore/rampat e shkallëve.
Autoriteti Rrugor Shqiptar mori menjëherë masat për të ndërtuar një mbikalim të ri dhe sot në orën 22.00 deri në orën 23:00 do të bëhet montimi i elementit horizontal.
-Ky proces kërkon që rruga në të dyja senset e lëvizjes të bllokohet për 1 orë.
-Lëvizja e mjeteve gjatë kësaj kohe do të realizohet nëpërmjet rrugëve alternative.
-Sensi i lëvizjes Tiranë-Durrës do të devijohet në daljen qendër Sukth dhe do vazhdojë lëvizjen drejt Durrësit në segmentin e vjetër Tiranë-Durrës.
-Sensi i lëvizjes Durrës-Tiranë do devijohet në segmentin e vjetër Durrës-Tiranë.
-Kërkojmë mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës për këtë ndërhyrje që po kryhet në këtë aks”, shkruhet në postimin e bërë nga ARRSH në Facebook.