Po luhen ndeshjet e dyta të fazës së grupeve të Kupës së Botës në Katar dhe shumë skuadra tashmë po llogarisin se si mund të kualifikohen për në 1/8 e finaleve. Surprizat që po ndodhin në disa grupe kanë bërë që situata të ndërlikohet.
Mund edhe të ndodhë që të ketë disa skuadra me pikë të barabarta pas tre ndeshjeve. Për raste të tilla, FIFA e ka një (ose shumë) zgjidhje.
Sistemi kualifikues i fazës së grupeve të Kupës së Botës është shumë i thjeshtë. Kalojnë vetëm dy të parët e secilit grup. Prandaj, kriteri i parë është gjithashtu i lehtë: ata që arrijnë më shumë pikë në tre ndeshjet që luhen, shkojnë në raundin tjetër.
Problemi vjen në rast të barazimit në pikë. Kriteri i dytë është diferenca e golave në grup. Kushdo që ka një golaverazh më të mirë do të ketë përparësi ndaj ekipit tjetër që ka të njëjtin numër pikësh.
Nëse edhe golaverazhi është barazim, futet në lojë kriteri i tretë: do t’i jepet përparësi skuadrës që ka shënuar më shumë gola në ndeshjet e grupit. Domethënë, në këtë rast nuk merren më në konsideratë golat e pësuar, por vetëm ato të shënuar.
Nëse edhe këtu ekipet janë me gola të barabartë, vjen kriteri i katërt: ndeshjet direkte ndërmjet skuadrave të barazuara.
Në rast se ndeshja direkte ka përfunduar barazim, do të merret parasysh golaverazhi në ndeshjet direkte.
Nëse ende nuk ka zgjidhje, do të ketë edhe dy mënyra të tjera: numri më i ulët i penalltive në favor dhe kush ka marrë më pak kartonë (një i verdhë është një pikë më pak; një i kuq është dy).