Tani ekziston një “kërcënim prezent” i përhapjes së fruthit në çdo rajon të botës, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe agjencia e shëndetit publik amerikan.
Në një raport të përbashkët, organizatat shëndetësore thanë se kishte pasur një rënie të vaksinave kundër fruthit dhe më pak mbikëqyrje të sëmundjes gjatë pandemisë COVID.
Fruthi është një nga viruset më ngjitëse njerëzore, por është pothuajse tërësisht i parandalueshëm nëpërmjet vaksinimit, megjithëse kërkon mbulim 95% të vaksinës për të parandaluar shpërthimet.
Një rekord prej afro 40 milionë fëmijësh humbi një dozë vitin e kaluar për shkak të pengesave të krijuara nga pandemia, sipas raportit të OBSH-së dhe Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Kjo ka bërë që miliona fëmijë të preken nga kjo sëmundje.
“Ne jemi në një udhëkryq,” tha Patrick O’Connor, drejtuesi i OBSH-së për fruthin.
“Do të jetë një 12-24 muaj shumë sfidues për të zbutur këtë situatë.Edhe pse rastet ende nuk janë rritur ndjeshëm në krahasim me vitet e kaluara, tani është koha për të vepruar, tha ai. Zgjatja e masave të distancimit shoqëror dhe natyra ciklike e fruthit mund të shpjegojnë pse nuk ka pasur një rritje të rasteve”, tha zoti O’Connor.
Kishte rreth nëntë milionë infeksione nga fruthi dhe 128,000 vdekje në mbarë botën vitin e kaluar, thanë zyrtarët.
Në shkurt, zyrtarët shëndetësorë në Angli paralajmëruan se normat e vaksinave kishin rënë në nivelin e tyre më të ulët në një dekadë.
Fruthi zakonisht transmetohet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë dhe përmes ajrit me anë të kollitjes dhe teshtitjes.
Fëmijët e vegjël të pavaksinuar janë në rrezikun më të lartë të fruthit dhe komplikimeve të tij.
Mund të shkaktojë pneumoni, encefalit (inflamacion të trurit) dhe dëmtim të sistemit imunitar, gjë që i bën fëmijët më të ndjeshëm ndaj infeksioneve të tjera.
Fruthi shkakton simptoma duke përfshirë ethe, dhimbje muskujsh dhe skuqje të lëkurës në fytyrë dhe në pjesën e sipërme të qafës dhe ndonjëherë mund të jetë fatale.
Më shumë se 95% e vdekjeve ndodhin në vendet në zhvillim, kryesisht në Afrikë dhe Azi.
Nuk ka trajtim specifik për fruthin, por vaksina me dy doza është rreth 97% efektive në parandalimin e sëmundjeve të rënda dhe vdekjes./Opinion.al