Edhe pse Botërori ka ndezur motorët dhe janë shënuar tashmë dhjetëra gola, me surpriza që kanë habitur të gjithë si fitorja e Arabisë Saudite me Argjentinën, një tjetër lajm ka nxitur debate.
Nëse Messi është i trishtuar nga humbja turpëruese, një moment edhe më të keq po e kalon rivali i tij i përjetshëm, Cristiano Ronaldo, që nga dita e djeshme është zyrtarisht “i papunë”.
Lajmi i ndarjes konsensuale të yllit portugez me Manchester United, kanë vënë në lëvizje ekspertët e merkatos për të identifikuar ekipin e ri të Ronaldos, veçanërisht pas përshëndetjes që 38-vjeçari bëri në rrjetet sociale, ku pas deklaratës plot dashuri për tifozët e Djajve të Kuq, shtoi se ishte gati “për sfida të reja”.
Ronaldo ka si objektiv të përhershëm dhe minimal pjesëmarrjen në Champions League. Kjo nuk u mundësua në pjesën e parë të sezonit nga Manchester United, por nuk do të thotë që ai mos të marrë pjesë në fazën e dytë. Për këtë arsye, ka zëra për një mundësi te Chelsea, që kërkon golat që Aubameyang dhe kuqeziu Broja nuk po i sigurojnë, por edhe një rikthim i bujshëm te Real Madrid.
Një mundësi romantike do të ishte rikthimi në Sportin Lisbona, ku lindi si futbollist dhe ku do të ishte ende një idhull, por ekipi portugez u eliminua nga Champions. Një lidhje portugeze me Mourinho dhe drejtorin teknik, Tiago Pinto, e çojnë portugezin te Roma, por klubi italian me vështirësi do të përballonte pretendimet ekonomike të tij.
Atëherë dalin në pah pista të tjera. Nga MLS amerikane, që ka nevojë për ambasadorë të njohur, ose në Arabi Saudite, ku rroga nuk do të ishte problem, sidomos tani që sukseset e kombëtares vendase po i gëzojnë të gjithë, duke filluar nga sundimtari saudit Bin Selman, që shpalli festë kombëtare për fitoren ndaj Messit. Do të ishte “hakmarrja” e fundit e CR7 ndaj “Pleshtit” magjik.