Të paktën gjashtë persona janë vrarë dhe 81 të tjerë janë plagosur në një shpërthim në një zonë të frekuentuar në qendër të Stambollit.
Sipas autoriteteve turke, shpërthimi ndodhi rreth orës 16:20 me orën lokale (13:20 GMT) të dielën në një rrugë tregtare në zonën e Sheshit Taksim.
Një i dyshuar tani është arrestuar, tha ministri i brendshëm. Zëvendës/presidenti Fuat Oktay tha më herët se shpërthimi mendohej të ishte një sulm terrorist i kryer nga një grua.
Ndërsa presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha se autorët do të ndëshkohen.
Duke folur në një konferencë shtypi në Stamboll, ai dënoi atë që ai e quajti “sulm të poshtër” dhe tha se “era e terrorit” ishte në ajër.
Ministri i Drejtësisë Bekir Bozdag tha për mediat turke se një grua ishte ulur në një stol në zonë për më shumë se 40 minuta, duke u larguar vetëm disa minuta para se të ndodhte shpërthimi.
Të hënën në mëngjes, Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu tha se një person i dyshuar se kishte lënë bombën ishte arrestuar nga policia dhe akuzoi Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) si përgjegjës për ngjarjen.
PKK është një grup militant që bën thirrje për një shtet të pavarur kurd brenda Turqisë. BE dhe SHBA e konsiderojnë atë si një organizatë terroriste.
Sipas BBC, askush deri më tani nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin.
Ministri i qeverisë Derya Yanik shkroi në një postim në Twitter se një punonjës i ministrisë së qeverisë dhe vajza e tij e vogël ishin mes viktimave.