Forcat ruse një ditë më parë u larguan pas 8 muajsh nga Kherson, por lufta vazhdon ende. Në ikje, ata kanë shkatërruar të paktën 7 ura, raportojnë mediat në Ukrainë.
Ndërkohë, raportohet se janë rikthyer bombardimet në rajonin e Nikopolit, aty ku mbetën të plagosur edhe civilë. Guvernatori i rajonit, Valentyn Reznichenko, tha se artileria e rëndë e Putinit goditi rajonin Marhanetska.
Edhe ministri i Jashtëm i Ukrainës është shprehur se lufta vazhdon pavarësisht se ushtria ukrainase ka fituar terren gjatë kohëve të fundit.
“Lufta vazhdon. Lufta për çlirimin e vendit do të vazhdojë. Ne po i fitojmë betejat në terren, por lufta vazhdon. E kuptoj që të gjithë duan që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Ne jemi ata që e duam këtë më shumë se kushdo tjetër. Megjithatë, për sa kohë shohim që Rusia mobilizon më shumë rekrutë dhe sjell më shumë armë në Ukrainë, ne do të vazhdojmë të luftojmë”, tha ai.