Biznesmeni me lidhje të ngushta me Kremlinin, Yevgeny Prigozhin, pranoi të hënën se ai kishte ndërhyrë në zgjedhjet amerikane dhe do të vazhdojë ta bëjë, duke konfirmuar për herë të parë akuzat e hedhura poshtë për vite me radhë.
“Zotërinj, ne kemi ndërhyrë, po ndërhyjmë dhe do të ndërhyjmë. Me kujdes, saktë dhe në mënyrën tonë, siç dimë të bëjmë”, u mburr zoti Prigozhin në komentet e postuara në rrjetet sociale.
Deklarata nga ai që njihet si “kuzhinieri i Putinit” vjen një ditë para se amerikanët të hedhin votën në ato që njihen si zgjedhjet e mesmandatit, pas një kërkesë për komentonte mbi këtë çështje.
Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara, një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë nuk pranoi të komentonte mbi zhvillimin.
Ky ishte pranimi i dytë i rëndësishëm në muajt e fundit nga biznesmeni 61-vjeçar, i cili ka lidhje me Presidentin Vladimir Putin. Biznesmeni Prigozhin më parë është përpjekur të mbajë aktivitetet e tij jashtë syrit të publikut ndërsa tani duket gjithnjë e më i interesuar për të fituar ndikim politik.
Në shtator, ai deklaroi publikisht se qëndronte pas kompanisë së mercenare, grupit Wagner, çka ishte mohuar më parë nga vetë ai. Biznesmeni Prigozhin foli hapur për përfshirjen e mercenarëve të Grupit Wagner në agresionin 8-mujor rus në Ukrainë.
Firma kontraktore ushtarake gjithashtu ka dërguar forcat e saj në vende si Siria dhe Afrika Nën-Sahariane.
Kohët e fundit kanë dalë pamje filmike të një burri që i ngjan rusit Prigozhin, i cili shihet duke vizituar kampet e të burgosurve rus për të rekrutuar individë që të luftojnë në Ukrainë.
Në vitin 2018 Shtetet e Bashkuara ngritën akuza ndaj Yevgeny Prigozhin-it si dhe ndaj më shumë se 10 shtetasish të tjerë rusë e tre kompanive ruse, lidhur me rolin e tyre në drejtimin e një fushate të fshehtë në mediat sociale me qëllimin për të përçarë publikun amerikan para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 që u fituan nga republikani Donald Trump./ VOA