Hakerat iranianë kanë publikuar ditën e sotme pamjet një operacioni për zbulimin e një spiuni që punonte në ambasadën kineze.
Në videon që daton në 26 Mars të vitit të kaluar, shfaqet edhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë Gledis Nano që mbante në atë kohë postin e drejtorit në drejtorinë e Anti-Terrotit, i cili i afrohet të dyshuarve dhe i kërkon një mjet identifikimi.
“Përshëndetje jemi njësia hetimore e Policisë së Shtetit. Unë jam drejtori”, i thotë Nano dy personave. Ndërsa një nga dy personat i thotë “jam drejtori i protokollit në polici të shtetit”. Më pas Nano pyet edhe personin tjetër i cili i kërkon që t’i drejtohet në gjuhën angleze.
Sipas News 24, drejtori i protokollit i policisë së shtetit del nga ambasada kineze bashkë me atashehun kulturor të ambasadës, edhe pse ligji i ndalon hyrjen me dokumentin në xhep në çdo përfaqësi të huaj.
Pak ditë më parë hakerat publikuan listën e punonjësve të SHISH me të dhëna si emër, pozicion pune dhe disa numra celulari, ndonëse të dhënat e nëpunësve në këtë institucion cilësohen sekret dhe nuk duhet të publikohen. Megjithatë emrat e publikuar janë punonjës të administratës dhe jo informatorë.
Shqipëria është goditur nga dy sulme kibernetike, konkretisht në mes të muajit korrik dhe në datë 10 Shtator. Hakerat publikuan edhe të dhënat e ish-kryepolicit Gledis Nano si dhe komunikimet e tij për operacione të ndryshme policore.