Policia Rrugore e Tiranës ka bërë me dije se gjatë javës që lamë pas janë arrestuar 36 persona dhe janë pezulluar 173 leje drejtimi.
Përmes një njoftimi,policia rrugore thotë se janë goditur 14 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e policisë me qëllim shmangien e gjobave për shkeljet e kryera.
Njoftimi i plotë
Vijojnë kontrollet e shtuara në të gjitha akset rrugore, për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore si dhe për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, në kryeqytet.
▪️Gjatë javës që lamë pas, Policia Rrugore e Tiranës goditi 14 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e masave administrative për shkeljet e kryera.
▪️36 shtetas janë arrestuar dhe proceduar për drejtim automjeti, në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi.
▪️173 leje drejtimi janë pezulluar, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, për shpejtësi tej normave të lejuara dhe për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.