Një nga rrugët e Tiranës do të mbajë emrin e gazetarit dhe publicistit Fatos Baxhaku, i cili u nda nga jeta tre vite më parë.
Në pritjen e organizuar në Bashkinë e Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj iu tha familjarëve se kryeqyteti është sot i nderuar që përkujton një përfaqësues të denjë të gazetarisë shqiptare.
“Është një ndjesi shumë e bukur të kujtojmë një mik, një vëlla – disa e kanë mik e vëlla prej shpirtit e gjakut, disa prej nesh e ‘adoptuan’ si të tillë pasi e njohëm. Fatos Baxhaku i përkiste një gjenerate që nuk vjen më. Unë do doja që kjo gjeneratë të shtohej, por qartazi ka ndryshuar shumëçka nga ajo kohë kur gazetaria ishte idealizëm, kur profesioni ishte më shumë mision se kontabilitet në fund të muajit, kur të qenit mentor i të folurit mirë për dikë, të promovuarit një brez të ri, ishte një detyrë mbi detyrat në sensin e jo vetëm të përcjelljes së një zanati apo profesioni, por të dijes që shkon dorë më dorë”, u shpreh Veliaj.
Në emër të familjes, vëllai i gazetarit Fatos Baxhaku, Arturi, tha se ndihej shumë i nderuar për vlerësimin.
“Tosin e kanë dashur shumë sa ishte gjallë. E shoh edhe tani. Nuk është vetëm dashuri, por edhe vlerësim për punën e tij, për idealet që ai kishte, pasionin dhe mendimet për të përmirësuar sadopak dhe për t’i shërbyer këtij komuniteti, njerëzve. Gjesti juaj i vë vulën këtij vlerësimi. Ju falenderoj shumë në emër të familjes”, u shpreh ai.
Fatos Baxhaku ishte autor i reportazheve të shkruara dhe televizive, studiues i historisë dhe një penë e mprehtë kritike e tranzicionit shqiptar. Ai u nda nga jeta në moshën 55-vjeçare.