Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka reaguar ndaj një deklarate të kryeministrit Edi Rama, i cili u shpreh se shqiptarët paguajnë 20% të faturës së energjisë dhe pjesën tjetër e mbulon shteti.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Sula akuzon kryeministrin Rama se është i vetmi drejtues qeverie në Evropë por edhe në Rajon i cili kërkon të përfitojë politikisht por edhe financiarisht si qeveri nga krizat.
Sipas Sulës, Rama po përhap panik që qytetarët të mos reagojnë.
Ndër të tjera, deputeti shkruan se Shqipëria prodhon vetë mbi 75% të energjisë së nevojshme për konsumin vendas, kështu që sipas tij edhe ekspoimi i vendit tonë ndaj krizës së energjisë është shumë më i vogël sesa propagandohet nga kreu i qeverisë.
“Gënjeshtra e madhe e krizës energjitike që i thuhet shqiptareve. Kryeministri ynë është i vetmi drejtues qeverie në Evropë por edhe në Rajon i cili kërkon të përfitojë politikisht por edhe financiarisht si qeveri nga krizat. Tani po e bën me energjinë elektrike duke justifikuar luftën në Ukrainë. Për të justifikuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, kreu i qeverisë ka deklaruar sot se shqiptarët paguajn vetëm 20% të faturës së energjisë pasi pjesën tjetër e mbulon shteti. Jo të dashur qytetar është një e pavërtetë e madhe. Kryeministri do të ngjall panik në mënyrë që qytetarët të mos reagojnë. Shqipëria është vend që e prodhon vet mbi 75% të energjisë së nevojshme për konsumin vendas. Kështu edhe ekspozimi i vendit tonë ndaj krizës së energjisë është shumë më i vogël sesa propagandohet nga SULLTANI. Ne nuk e importojmë të gjithë sasinë e energjisë, por e prodhojmë vet dhe një pjesë të vogël e marrim nga jasht. Shtetit shqiptar nuk i janë rritur kostot për prodhimin e energjisë. Ndaj ajo që ka thënë sot Kryeministri se ne paguajm vetëm 20%të faturës është e pavërtetë. Paratë e taksapaguesve shqiptar nuk shkojnë për të blerë energjinë, por ato shkojnë për të dhënë tendera te klientët e qeverisë me 99.9% të fondit limit. Paratë shtesë që paguajnë qytetarët shqiptarë si taksë nga rritja e çmimeve nuk shkojnë për të ndihmuar qytetarët, pensionistët e familjet në nevojë por shkojnë për mobilime luksi të zyrave qeveritare. Sulltani përhap panik me energjinë elektrike sepse do të shmangë përgjegjësinë nga investimet për të mos qëndruar të varur vetëm nga situata hidrike. “Parashikova krizën energjitike”, Tha sot kryeministri. Por shmang deshtimin ne diversifikimin e burimeve te energjisë. Bota vërtet po përballet me një krizë energjitike për shkak të luftës. Por Shqipëria i ka dhe i ka pas të gjithë mundësitë që të mos e ndiente fare këtë. Ne kemi burime të ndryshme të prodhimit të energjisë, por kryeministri ynë i cili bën 1 dekadë në krye të qeverisë nuk ka patur vizion që të përdorë këto burime. Për këtë nuk janë përgjegjës shqiptarët, por vet ai”, tha Sula./Opinion.al