Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur në Zvicër. Një baba nga Kosova së bashku me katër djemtë e tij ka mbajtur në Zvicër 4 vajza si skllave për 16 vjet.
Sipas gazetës “Blick” ku dhe është publikuar kjo ngjarje, thuhet se të rejat janë mbajtur për 16 vjet pa u vënë re nga askush.
Mësohet se 65-vjeçari Albrim F, i kishte sjellë vajzat si gra për djemtë e tij. Ato i përkisnin moshave 14 deri 17-vjeç.
“Viktima e parë u soll në Zvicër nga Shqipëria në vitin 2003. 17-vjeçarja e atëhershme e njihte burrin e saj vetëm nga fotot. Prindërve të së resë iu premtuan se vajza e tyre do të kishte një jetë më të mirë në Zvicër. Një vajzë tjetër ishte vetëm 14 vjeç, jetonte në varfëri dhe sipas hetuesve, prindërit e saj ia shitën shtetasit kosovar për një shumë prej 300 eurosh”.
Babai kosovar me katër djem e tij do të dalë para gjykatës rajonale të Moutier BE javën e ardhshme.
Sipas aktakuzës, 65-vjeçari Albrim F, i ka udhëzuar djemtë e tij se si të silleshin me “gratë” e tyre. Ata i dhunonin vajzat fizikisht dhe psikologjikisht. Po sipas aktakuzës thuhet se, gratë janë rrahur, poshtëruar, kërcënuar me vdekje, izoluar dhe dhunuar vazhdimisht nga anëtarët e familjes.
“Më shumë se 20 herë e ka goditur me brez”, thuhet në aktakuzën e njërit prej të pandehurve. Ose: “Edhe pse ishte shtatzënë, ai e ka rrahur nusen deri sa i ka dalë gjak dhe i ka shtrënguar fytin me të dyja duart”. Njëra prej viktimave duhej t’i lante këmbët vjehrrit dhe kunatit çdo mbrëmje. Akuzat mbushin 30 faqe.
Gratë rrallë lejoheshin të dilnin vetëm nga banesa dhe nuk kishin pothuajse asnjë kontakt me familjet e tyre. Dhe duhej të bënin punët e shtëpisë nga mëngjesi në mbrëmje.
Sipas avokatit të vajzave, pas sjelljes çnjerëzore qëndron e drejta zakonore mesjetare shqiptare e kanunit. Ndërkohë të akuzuarit mohojnë çdo akuzë.
Të akuzuarit përballen me dënime, ndër të tjera, për trafikim njerëzor, martesë të detyruar, lëndim fizik, shtrëngim, përdhunim dhe akte seksuale me fëmijë. Dënimi i kërkuar do të shpallet vetëm në seancë./Opinion.al