Kreu i Partisë së Lirisë, dha një deklaratë për mediat para fillimit të Konventës Kombëtare të kësaj force politike.
Në fjalën e tij, Meta bëri të ditur se do të prezantohet programi dhe statuti i Partisë së Lirisë, si dhe angazhimi i partisë që Shqipëria t’iu përkasë të rinjve.
“Është një ditë e rëndësishme sepse është konventa e parë e Partisë së Lirisë. Më 25 korrik ishte konventa e fundit e LSI-së e cila mori vendimin për t’i hapur rrugë krijimit të PL. Në më pak se 100 ditë vijmë në këtë konventë ku do të prezantojmë programin dhe statutin e PL si dhe angazhimin tonë që Shqipëria t’iu përkasë të rinjve.
PL ka këtë angazhim madhor që këta të rinj t’i mbajë këtu, t’i kthejë këtu dhe që të rinjtë tanë të jenë lokomotiva e transformimit të shpejtë dhe burimi i lumturisë dhe mirëqenies së shoqërisë sonë”, tha Meta.
Ndërsa, nuk ka asnjë kandidat përballë për postin e kryetarit të Partisë së Lirisë, Meta tha se është shenjë besimi për lidershipin e tij.
“Prej 100 ditësh është bërë e ditur se do ketë zgjedhje për kryetarin e PL dhe strukturat. Falenderoj komitetin që gjysmë ore më parë përfundoi misionin. Sot do të votohen të gjithë në mënyrë të fshehtë. Komiteti drejtues dhe kryesia, padyshim dhe kryetarin. Nuk shpikim dot kandidatë dhe s’bëjmë dot gara fiktive. Është tregues i simpatizantëve për besimin e lidershipit tim. Për këshillat bashkiak, 50% do të jenë të rinj e të reja”, tha Meta./Opinion.al