Finlanda dhe Suedia janë duke iu afruar anëtarësimit në NATO, pasi 28 prej 30 vendeve anëtare tani kanë ratifikuar protokollet për anëtarësim, pas votimeve të kryera në nivele parlamentare apo presidenciale nëpër vendet e tyre.
Diçka e tillë ka munguar nga ana e Hungarisë dhe Turqisë.
Mirëpo me Qeverinë e re tani në Suedi dhe pas zgjedhjeve në Finlandë dhe Turqi, në fillim të vitit të ardhshëm, diplomatët janë pothuajse të bindur se dy vendet nordike do të jenë anëtare e reja të NATO-s, nga fundi i vitit 2022 apo në fillim të vitit 2023.
Pengesa më e madhe në gjithë këtë proces ka të bëjë me Ankaranë.
Pas vendimit të Helsinkit dhe Stokholmit për të aplikuar për anëtarësim në NATO, dikur në maj të këtij viti – për shkak të luftës së nisur nga Rusia në Ukrainë – pritjet kanë qenë që procesi i anëtarësimit do të mund të përmbyllej me shpejtësi rekorde, ashtu që të dyja vendet të mund të ishin anëtare në fund të verës apo në fillim të vjeshtës.
Mirëpo presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka pasur ide tjera.
Ai ka miratuar në fund ftesën e NATO-s për Finlandën dhe Suedisë – për t’iu bashkuar aleancës – në samitin në Madrid, që është mbajtur në fund të muajit qershor, vetëm pas nënshkrimit të një memorandumi trelateral me Helsinkin dhe Stokholmin në margjinat e organizimit të madh në kryeqytetin spanjoll.
Teksa shumica e vendeve të NATO-s janë ngutur gjatë muajve të verës që të ratifikojnë protokollet për anëtarësim, Turqisë nuk i është bërë vonë.
Ajo ka vëzhguar nëse Finlanda dhe Suedia kanë përmbushur zotimet që kanë bërë në memorandum.
Fokusi kryesor ka qenë kryesisht në Suedi – vend me rreth 100.000 persona me origjinë kurde – e cila është përballur me një proces zgjedhor që e ka fituar krahut i të djathtës ekstreme.
Qeveria e mëhershme suedeze ka qenë e shpejtë në përmbushjen e disa zotimeve.
Një embargo e vitit 2019 për armët ndaj Ankarasë është hequr shpejt dhe ka pasur lëvizje në bllokimin e financave të grupeve kurde në Siri.
Mirëpo këto kanë qenë përparim të lehta.
Pyetja reale është si do të përballet Qeveria suedeze me shtypjen e Partisë Popullore të Kurdistanit (PKK) dhe si do të ekstradojë personat që Turqia i konsideron “terroristë”.
Si Finlanda, ashtu edhe Suedia e konsiderojnë PKK-në si organizatë terroriste, mirëpo në memorandum ato janë zotuar “për të parandaluar aktivitetet e PKK-së dhe të gjitha organizatave terroriste dhe zgjatimeve të tyre, si dhe aktivitetet e individëve e grupeve që janë të inspiruara apo të lidhura me këto organizata terroriste”.
Është e qartë se Stokholmi do të duhet të jetë më vigjilent kundër grupit, flamujt dhe emblema e të cilit nuk janë të pazakonshme në shumë qytete suedeze.
Këto ekstradime pritet të jenë test për Qeverinë e re suedeze.
Deri më tani, kërkesat për ekstradime janë miratuar për dy persona, mirëpo nuk dihet edhe sa të tjera ka bërë Ankaraja.
Numrat që qarkullojnë nëpër media shkojnë në mes të 18 dhe 73, mirëpo zyrtarët me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë besojnë se Turqia është e interesuar më së shumti në gatishmërinë e suedezëve që të merren me këto kërkesa dhe të mos i fusin menjëherë në sirtarë.
Gatishmëria e Suedisë mund të jetë rritur me hyrjen e Ulf Kristerssonit në zyrën e kryeministrit.
Partia e tij, si dhe dy partneret e koalicionit, janë të gjitha pro-NATO-s, diçka që nuk ka ekzistuar në përbërjen e kaluar qeveritare.
Ai mund ta ketë më të lehtë që të përballet me ekstradimet, duke marrë parasysh faktin se zgjedhjet kanë përfunduar se dhe kurdët suedezë tradicionalisht nuk kanë qenë bazë shumë e rëndësishme e votave për të.
Për më shumë, ulëse në Parlament nuk ka fituar as Amineh Kakabaveh – kurde e lindur në Iran, e cila në Qeverinë e kaluar ka qenë deputete e pavarur.
Kristersson e ka mbajtur Oscar Stenströmin në pozitën e kryenegociatorit për zbatimin e memorandumit – një person i cili besohet se gëzon respekt në Ankara.
Kur kryeministri suedez ka vizituar selinë e NATO-s në Bruksel, pak pas nisjes së mandatit, ai ka thënë se Stokholmi është “shumë i përkushtuar për një marrëveshje në mes të Suedisë, Finlandës dhe Turqisë, dhe ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të përmbushur të gjitha obligimet”, duke shtuar se “lufta kundër terrorizmit është me rëndësi thelbësore për këtë marrëveshje”.
Ai ka thënë po ashtu në Bruksel se është i gatshëm të shkojë në Ankara “sa më shpejt që mundet”.
Ergodani ka thënë se takimi do të ndodhë, por pa dhënë datë të saktë.
Ndonëse jo gjithçka pritet të zgjidhet shpejt, një dritare e madhe e mundësisë vazhdon të jetë e hapur.
Erdogani do të testohet në zgjedhjet presidenciale që mbahen në qershor të vitit të ardhshëm, derisa finlandezët do të shkojnë në zgjedhje në fillim të muajit prill.
Prandaj, të gjitha palët shpresojnë që kjo temë do të mbyllet para së të nisin proceset e përmendura.
Më pas, fokusi kthehet te Hungaria dhe arsyet pse Parlamenti i këtij shteti ende nuk i ka ratifikuar protokollet.
Ka pasur shenja nga zyrtarët hungarezë se kjo çështje do të votohet në fund të muajit nëntor dhe se i gjithë procesi do të finalizohet para Festës së Krishtlindjes.
Arsyeja zyrtare është se Qeveria është e zënë në hartimin dhe votimin e legjislacionit të ri për të siguruar fondet e bllokuara të Bashkimit Evropian në vlerë të 7.5 miliardë eurove.
Mirëpo ka persona e besojnë këtë arsye për vonesë.
Në korridoret e Brukselit ka spekulime se Budapesti është duke e shfrytëzuar vonesën për t’i bërë presion Stokholmit dhe Helsinkit që të miratojnë ndarjen e fondeve për Hungarinë.
Ka zëra se zvarritja nga ana e hungarezëve mund të jetë sinjal për Moskën se Budapesti është miku më i mirë i Kremlinit brenda bllokut evropian.
Disa besojnë se krejt kjo situatë është krijuar si shenjë solidariteti me Turqinë.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban synon tash e një kohë që të kultivojë lidhje të afërta me Erdoganin.
Megjithatë, saga është drejt fundit, pavarësisht vonesave.
Fundi i saj do të rezultojë me zgjerim të NATO-s./REL