Ushtria ukrainase është duke rritur presionin ndaj forcave ushtarake ruse në rajonin jugor të Hersonit, të cilin Moska e ka pushtuar pak pas nisjes së luftës në Ukrainë, më 24 shkurt.
Humbja e kontrollit të këtij rajoni do të shënonte një tjetër kthim mbrapa për presidentin rus, Vladimir Putin.
Portë drejt Krimesë
Rajoni i Hersonit kufizohet me Krimenë, dhe në këtë mënyrë i krijon qasje Moskës në këtë gadishull ukrainas, të cilin e ka pushtuar më 2014. Nëse ukrainasit rikthejnë kontrollin e Hersonit, kjo nënkupton se Moska nuk do të ketë më qasje në këtë korridor rrugor. Një përparim i tillë i ukrainasve do t’iu mundësonte atyre edhe bartjen e artilerisë afër Krimesë, rajon që Moska e konsideron me rëndësi jetike për interesat e saj.
Putin e konsideron aneksimin e Krimesë si fitore të madhe për dekadat e tij në pushtet. Në Krime ka prezencë të madhe të ushtrisë ruse, përfshirë flotën e Detit të Zi, të cilën Moska e përdor për të rritur fuqinë në Mesdhe dhe Lindje të Mesme.
Furnizimet me ujë të pijshëm
Në rast se Ukraina rikthen kontrollin e Hersonit, furnizimet me ujë të freskët do të rrezikoheshin në Krime.
Pas vendimit të Moskës për aneksim të Krimesë, Kievi i ka bllokuar furnizimet me ujë përmes kanalit që del nga Lumi Dnjepër. Kur Rusia ka pushtuar një pjesë të madhe të Hersonit dhe rajonit tjetër Zaporizhja në lindje, forcat ruse kanë zhbllokuar menjëherë kanalin për të rikthyer furnizimet. Rusisë i duhet uji për popullsinë lokale, për tokën e Krimesë dhe disa objekte ushtarake.
Rrugët logjistike
Forcat ushtarake ruse janë të përqendruara në pjesën perëndimore të Lumit Dnjepër, përkatësisht në veri të Hersonit. Ky është vendi i vetëm ku Rusia ka qasje në lumin që përshkon gjithë Ukrainën.
*Video: Mposhtja e forcave ruse në Harkiv
Forcat ukrainase tash e sa kohë janë duke dëmtuar urat, ashtu që të komplikohen përpjekjet e Moskës për të siguruar furnizime. Nëse Rusia humb qasjen në anë pjesë të lumit, atëherë një gjë e tillë do t’i mundësonte Ukrainës që të sulmonte linjat ruse të furnizimit edhe në rajonin e Zaporizhjës, njëkohësisht rikthimin e këtij rajoni po, kanë thënë analistët ushtarakë.
“Qasja në anën e djathtë të lumit është e rëndësishme për të dyja palët – për Rusinë që të mund të mbrojë Zaporizhjën, dhe për Ukrainën që të shkëpusë tri arterie: korridorin tokësor për Krimenë, ujin që shkon në Krime dhe kthimin e kontrollit të centralit bërthamor në Zaporizhja – më të madhit në Evropë”, ka thënë Oleh Zhdanov, analist ushtarak.
Rëndësia simbolike
Qyteti i Hersonit është kryeqyteti i vetëm rajonal që kanë nën kontroll forcat ruse prej shpërthimit të luftës. Humbja e tij do të përbënte goditje simbolike për Kremlinin dhe do të përshkruhej si dështim i Rusisë për të fituar kontrollin e qyteteve si Mikollaiv apo Odesa, ka thënë, Oleksander Musiyenko, analist ushtarak.
“Është e qartë se humbja e Hersonit dhe urës së Hersonit do të kishte pasoja për imazhin e Rusisë dhe do të komentohej negativisht brenda Rusisë”, ka thënë ai.
Kontrolli i Detit të Zi
Rajoni i Hersonit, i cili para luftës ka pasur popullsi prej më shumë se 1 milion banorësh, gjendet në rajonin e Detit të Zi. Rikthimi i kontrollit të tij, do t’i mundësonte Kievit kontroll të zonës bregdetare, e cila është kyçe për eksport të ushqimit në tregjet e jashtme.